×
Thursday, June 11, 2026

Ekspertja: Turizmi po e kthen Shqipërinë në destinacion gjithëvjetor, protestat mund të ndikojnë negativisht te imazhi

June 11, 2026


Turizmi në Shqipëri vijon të shënojë rritje të fortë, duke gjeneruar mbi 1 miliard euro të ardhura gjatë tre muajve të parë të vitit 2026. Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, shpenzimet e turistëve të huaj në vend u rritën me 14.8% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa flukset turistike kanë njohur zgjerim të ndjeshëm.

Në të njëjtën kohë, statistikat tregojnë se edhe shqiptarët kanë rritur shpenzimet jashtë vendit, duke arritur në 579 milionë euro gjatë periudhës janar-mars.

E ftuar në emisionin “Money Report”, ekspertja e ekonomisë Romina Radonshiqi u shpreh se këto shifra tregojnë se Shqipëria po largohet gradualisht nga modeli i turizmit sezonal dhe po shndërrohet në një destinacion të frekuentuar gjatë gjithë vitit.

“Shqipëria po kthehet në një atraksion turistik gjithëvjetor. Kjo ndikon pozitivisht jo vetëm në sektorin e turizmit, por edhe në të gjitha bizneset që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me të. Muajt e parë të vitit janë zakonisht më të brishtë, pasi është periudha kur bëhen planifikimet financiare dhe kursimet”, u shpreh ajo.

Radonshiqi komentoi gjithashtu protestat që po zhvillohen prej ditësh kundër projektit të investimit në Zvërnec, duke paralajmëruar se ato mund të kenë ndikim në perceptimin e Shqipërisë si destinacion turistik.

Sipas saj, pasqyrimi i protestave në mediat ndërkombëtare mund të ndikojë te vendimmarrja e turistëve dhe investitorëve të huaj.

“Kjo protestë po transmetohet edhe në mediat ndërkombëtare. Mund të ndikojë disi negativisht dhe të bëjë që Shqipëria të zëvendësohet me një destinacion tjetër turistik. Nga ana tjetër, shumë emigrantë po sjellin kapital në Shqipëri për investime dhe diaspora po e sheh vendin gjithnjë e më shumë si një mundësi për të investuar”, tha ekspertja.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, sektori i turizmit mbetet një nga kontribuuesit kryesorë në ekonominë shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e të ardhurave, punësimin dhe zhvillimin e bizneseve të lidhura me industrinë e mikpritjes.




Comments are closed.