×
Thursday, July 7, 2022

Durrësi, stacioni i parë i “Ditëve Europiane të Arkeologjisë”

June 18, 2022

Durrësi ishte stacioni i parë i aktivitetit “Ditët Evropiane të Arkeologjisë”, që po zhvillohet në disa prej siteve më të njohura të vendit në datat 17-19 qershor.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti publikoi sot në rrjetet sociale momente nga ky aktivitet ku brenda hapësirave të arenës së amfiteatrit të Durrësit u realizua demonstrimi i një gërmimi arkeologjik, me pjesëmarrjen e studentëve të Fakultetit të Historisë.

“Sot e nesër aktivitetet do të vijojnë në Parkun Kombëtar të Butrintit dhe në Parkun Arkeologjik të Apolonisë. Ditët Evropiane të Arkeologjisë janë një mundësi për të njohur më thellë pasurinë tonë”, u shpreh Margariti.

Gjatë ditë së sotme në Parkun Arkeologjik të Butrintit do të zhvillohen vizita me varkë me udhërrëfyes në kanalin e Vivarit, diskutim i hapur mbi vlerat e Parkut Kombëtar të Butrintit, vizitë me udhërrëfyes në Parkun Arkeologjik të Butrintit dhe Muzeun Arkeologjik.

Ndërsa në datën 19 qershor në parkun arkeologjik të Apolonisë do të zhvillohet demonstrimi i hapjes së një mozaiku pranë këtij parku, vizitë me udhërrëfyes në Muzeun Arkeologjik, PAA, vizitë me udhërrëfyes në Parkun Arkeologjik të Apolonisë dhe Muzeun Arkeologjik.

“Ditët Evropiane të Arkeologjisë” organizohen nga INRAP (Institut National de Recherches Archéologiques Préventives) në Francë dhe kanë si qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore e kryesisht asaj arkeologjike, ku çdo shtet merr pjesë me një kalendar aktivitetesh.

Comments are closed.