×
Wednesday, September 11, 2024

Dorëheqja e Thaçit, Balla: Akt prej shtetari!

November 5, 2020


“Dorëheqja e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi është një akt prej shtetari”. Kështu deklaroi kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla nga foltorja e Kuvendit. Sipas tij, lufta çlirimtare e Kosovës është një luftë e pastër dhe e drejtë.

Balla tha se Kosova sot nuk është në një ditë të vështirë, por përkundrazi, Serbia duhet të ndihet në një ditë të vështirë për faktin se Kosova po vendos standarde të larta të drejtësisë.

Numri dy i PS, u shpreh i bindur se të gjithë ata që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës do të dalin ballë lart nga gjykatat ndërkombëtare.

Mendoj se ne si kuvend duhet të shprehim solidaritetin me këtë akt prej shtetari të presidentit Thaçi për tu vënë në dispozicion të gjykatës pa imunitetin dhe pa pozicionin e Presidentit të Kosovës, por duke theksuar me zë të lartë se lufta çlirimtare për çlirimin e Kosovës nga pushtuesi serb, nga gjenocidi serb është një luftë e pastër e drejtë dhe ka qenë dhe mbetet një luftë çlirimtare”, u shpreh Balla.

Më tej ai nënvizoi se historia në asnjë vend të globit nuk është shkruar dhe nuk do të shkruhet me akt akuza dhe vendime gjykatë.

Dua ti them sot çdo bashkatdhetari kosovar, se Kosova sot nuk është në një ditë të vështirë, përkundrazi Serbia duhet të ndihet në një ditë të vështirë, sepse Kosova po vendos një standard të lartë në marrëdhënien me drejtësinë ndërkombëtarë.

Çdo prirje e Serbisë për të etiketuar pavarësinë e Kosovës nuk mund të bëjnë pis luftën çlirimtare të Kosovës. Unë jam i bindur se Thaçi tha ata burra dhe gra që kanë luftuar për çlirimin e Kosovës do të dalin ballë lart. Ne besojmë që drejtësia ndërkombëtare do të bëjë punën e vet në kohë dhe shpejt. Është koha për një transparencë përfundimtare pas 20 vjetësh”, tha Balla.

Hashim Thaçi dha dorëheqjen nga posti i Presidentit të Kosovës, ‘live’ gjatë një deklarate për mediat ku bëri me dije se Gjykata Speciale i kishte konfirmuar akt-akuzën për krime lufte.

Thaçi tha se është vënë në dijeni nga zyrtarët kompetentë se gjykatësi i Procedurës Paraprake të Dhomave të Specializuara ka konfirmuar aktakuzën kundër tij.

Janë këto momente jo të lehta për mua, për familjen time dhe për juve që më keni mbështetur dhe besuar këto tre dekada të përpjekjeve tona për liri”, u shpreh Thaçi, teksa theskoi se është në dispozicion të drejtësisë dhe në bashkëpunim me të.

Ai tregoi se është me fat se është gjallë dhe ka parë të realizohet ëndrrën shekullore kosovare, atë të lirisë.

Jam krenar që kam qenë pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vlerës më sublime të kombit shqiptar”, theksoi ai.

Ndër të tjera, Thaçi bëri thirrje për tolerancë dhe bashkëpunim si të vetmet forca që mudn ta çojnë vendin përpara.

Ju lus për maturi, qetësi dhe për unitet e bashkim.Të qëndrojmë të bashkuar, kjo është ajo që garanton suksesin tonë”, apeloi Thaçi.

Ai tha se ashtu siç kishte premtuar dha dorëheqjen, duke mos pranuar që përballë Gjykatës të dalë Presidenti i vendit.

Siç kam premtuar, nuk do të lejoj në asnjë rrethanë që para Gjyqit të dalë presidenti i Republikës së Kosovës prandaj për të mbrojtur integritetin e Presidencës së Republikës së Kosovës, integritetin e shtetit të Kosovës, integritetin dhe dinjitetin e qytetarit të Kosovës, popullit të Kosovës, duke respektuar dhe partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare, unë sot jap dorëheqjen nga pozita e presidentit të Republikës së Kosovës”, tha Thaçi në deklaratën e tij.

Teksa bëri thirrje për unitet politik dhe maturi ai deklaroi se kjo nuk është një lamtumirë por një mirupafshim.

Do të dalim faqebardhë, ky është premtimi im për ju. Zoti e bekoftë Kosovën, popullin e saj dhe miqtë tanë ndërkombëtar”, përfundoi Hashim Thaçi deklaratën e tij.

Ndërkohë, menjëherë pasi deklaroi dorëheqjen, Hashim Thaçi është drejtuar drejt zyrave të EULEX.

Në zyrat e EULEX kanë shkuar edhe kryetari i PDK Kadri Veseli, ndaj të cilit gjithashtu u konfirmuan akt-akuzat për krime lufte, dhe ish-komandanti i UÇK, Rexhep Selimi./

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments