Doganat miratojnë udhëzimin e ri për vlerësimin e mallrave, Beja: Më shumë transparencë dhe trajtim i barabartë për biznesin

03 Jul 2026 23:48
Shpërndaje:

Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, njoftoi miratimin e udhëzimit të ri për vlerësimin doganor të mallrave, një dokument që synon unifikimin e praktikave, rritjen e transparencës dhe garantimin e trajtimit të barabartë për të gjithë operatorët ekonomikë.

Sipas Bejës, udhëzimi do të shërbejë si dokument praktik pune për strukturat doganore që merren me kontrollin dokumentar, analizën e riskut dhe vlerësimin doganor, duke standardizuar procedurat dhe metodologjinë e përdorur për përcaktimin e vlerës së mallrave.

Një nga risitë kryesore të aktit është forcimi i përdorimit të vlerës së transaksionit dhe të dhënave për mallrat identike ose të ngjashme, në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe standardet e Organizatës Botërore të Doganave. Sipas tij, kjo do të reduktojë përdorimin e çmimeve të referencës dhe do të rrisë transparencën e procesit.

Reklamë Ola

Për herë të parë, udhëzimi përcakton në mënyrë të detajuar hapat që ndiqen për secilën metodë të vlerësimit doganor, si dhe kalimin nga një metodë në tjetrën, me synim zbatimin e njëtrajtshëm të legjislacionit në të gjitha strukturat doganore.

Beja theksoi se dokumenti synon të garantojë mbledhjen e saktë të të ardhurave, trajtim të barabartë për bizneset, parandalimin e nënvlerësimeve dhe mbivlerësimeve, si dhe harmonizimin e praktikave shqiptare me standardet e Bashkimit Evropian.

Reklamë InterMedika

“Miratimi i këtij dokumenti shënon një hap të rëndësishëm në modernizimin e administratës doganore dhe krijimin e një mjedisi më të parashikueshëm për biznesin”, deklaroi Beja.