Buxheti 2027, Dhuka: Përgatit Shqipërinë për anëtarësimin në BE

10 Nov 2026 • 12:31
Shpërndaje:

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë për integrimin në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi se buxheti i vitit 2027 do të mbështesë përmbylljen e negociatave dhe përgatitjen e vendit për anëtarësimin në BE.

Gjatë një seance dëgjimore në Komisionin për Evropën dhe Punët e Jashtme, Dhuka theksoi se Shqipëria ka hyrë në një fazë vendimtare të procesit të integrimit, ndërsa tre vitet e ardhshme do të jenë përcaktuese për përmbushjen e objektivave.

“Të gjithë kapitujt janë hapur, vlerësimin pozitiv për progresin me shtetin e së drejtës e kemi marrë dhe kemi mbyllur katër kapitujt e parë. Në këtë kuptim, vitet 2027, 2028 dhe 2029 janë vitet më të rëndësishme të rrugës drejt familjes evropiane”, deklaroi Dhuka.

Reklamë Ola

Sipas saj, gjatë vitit 2027 do të vijojë puna intensive për përmbushjen e angazhimeve që lidhen me mbylljen e negociatave, ndërsa periudha 2028–2029 do të përqendrohet në përgatitjen e institucioneve dhe ekonomisë për funksionimin sipas standardeve të një vendi anëtar.

Drejtësia, ekonomia dhe standardet evropiane, prioritetet kryesore

Reklamë InterMedika

Kryenegociatorja theksoi se buxheti i vitit 2027 synon të mbështesë transformimin institucional, ekonomik dhe shoqëror të Shqipërisë në kuadër të integrimit evropian.

Një nga drejtimet kryesore mbetet forcimi i shtetit të së drejtës, drejtësisë, sigurisë, mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe kapaciteteve të institucioneve për zbatimin e legjislacionit dhe standardeve të BE-së.

Një tjetër prioritet është përgatitja e tregut shqiptar për integrimin në tregun e përbashkët evropian, duke përfshirë përafrimin e standardeve ekonomike dhe përmirësimin gradual të nivelit të jetesës së qytetarëve.

“Në momentin e anëtarësimit, tregu shqiptar sillet si tregu i përbashkët evropian”, u shpreh Dhuka, duke nënvizuar rëndësinë e përafrimit të standardeve të jetesës me mesataren e vendeve të BE-së.

Integrimi i sistemeve doganore dhe rrjeteve energjetike

Dhuka veçoi gjithashtu integrimin e Shqipërisë në sistemet evropiane doganore dhe tatimore, si një element të rëndësishëm të përgatitjes për anëtarësim.

Ajo theksoi se nga momenti i anëtarësimit, kufiri doganor i Shqipërisë do të bëhet edhe pjesë e kufirit doganor të Bashkimit Evropian.

Prioritet tjetër do të jetë lidhja e vendit me rrjetet transevropiane të transportit dhe energjisë, për të lehtësuar qarkullimin e mallrave dhe njerëzve, si dhe për të forcuar sigurinë energjetike të Shqipërisë dhe rajonit.

Sipas kryenegociatores, buxheti do të mbështesë gjithashtu integrimin në Hapësirën Evropiane të Arsimit të Lartë, Hapësirën Evropiane të Kërkimit dhe tregun evropian të energjisë.

Dhuka nënvizoi se procesi i anëtarësimit nuk përfundon vetëm me mbylljen e negociatave, por kërkon një transformim të vazhdueshëm të institucioneve, ekonomisë dhe shoqërisë shqiptare.

Sipas saj, buxheti i vitit 2027 është një instrument për të mbështetur këtë transformim dhe për ta afruar Shqipërinë me objektivin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.