×
Monday, December 9, 2024

Botim i UET Press/ “Shi me baltë”, përmbledhja poetike që zbulon njeriun Mero Baze

November 12, 2024


Jo si publicist, as si gazetar, por si poet. Mero Baze surprizoi shumëkënd që e lidh emrin e tij me median e shkruar, duke sjellë dimensionin e tij të hershëm por pak të njohur për kohën dhe lexuesin e sotëm. Në këtë prag panairi, Baze promovoi krijimtarinë e tre dekadave në përmbledhjen poetike “Shi me baltë”, botim i UET Press

Dëshirat e para, impresionet e para, dashuritë e para e urrejtjet e para. Ka një paracaktim, që çdo gjë që është e parë të jetojë më gjatë. E tillë ka qenë dhe poezia për gazetarin dhe publicistin e njohur Mero Baze. Emri i tij u publikua për herë të parë në shtyp te Gazeta “Studenti” dhe “Zëri i rinisë”, si poet. Pavarësisht se prevaloi gazetaria dhe zhvillimi në këtë drejtim për 34 vitet e fundit, autori tha se i ndjehet thellësisht mirënjohës poezisë.

“Ajo më futi në rrugën e gazetarisë dhe jo gazetaria në rrugën e poezisë, siç mund ta mendojnë shumë tani”, sqaroi Baze gjatë promovimit të librit të tij të fundit “Shi me baltë”, botim i UET Press, në mjediset e Tirana International Hotel me të ftuar personalitete të politikës, kulturës, letërsisë, medias etj.
“Shi me baltë” sjell krijimtarinë e autorit në tre dekadat e fundit, të qëmtuara dhe organizuara me kujdes në katër kapituj nga poeti Ilirjan Zhupa dhe Arben Bllaci, sipas tematikës e kohës së krijimit të poezive.

Vetë autori do të specifikonte se poezitë e tij janë përjetime poetike dhe jo produkte të laboratorit artistik të një poeti. Prandaj është e pamundur të gjendet një poezi që del jashtë ngjarjeve, kujtimeve, personazheve, zhvillimeve që kanë shënjuar rrugëtimin e tij jetësor. Nga poezitë për fshatin, shkollën, fëmijërinë, prindërit, te poezitë për nëntokën, minierat dhe punonjësit e tyre, personazhet, poetët e politikanët që takoi e homazhet për ta, e deri te poezitë për jetën e dashurinë, një korpus i gjatë që më shumë se për fjalën, gjuhën, figuracionin, flet për njeriun Mero Baze.

Një promovim të pazakontë e quajti poeti Ilirjan Zhupa, mik i hershëm i autorit, duke iu referuar kështu kapërcimit që bën Baze nga gazetat më të rëndësishme të kohës, si: “Studenti”, “Zëri i rinisë”, “ATSH”, “Rilindja” e Kosovës, “Zëri i Amerikës”, “Europa e lirë”, “Tema”, etj, te një libër me poezi.

“Tek ky libër është Mero Baze që nuk e keni njohur, pasi rreth 40 vjet e keni parë vetëm nga jashtë dhe jo nga brenda. Keni parë vetëm guacën mbrojtëse të tij dhe tuajën, por jo thelbin, jo Mero Bazen e “pa armatosur”, atë realin, të ndjeshmin, të prekshmin, të dhimbsurin, të trishtin, humanin”, theksoi Zhupa.

Si lexues i hershëm i poezive, madje që në momentet e para kur ato u botuan në shtypin e kohës, Zhupa tha se mezi e kishte pritur këtë botim të ri që e vendos emrin e autorit përkrah poetëve të mëparshëm tepelenas si Agim Shehu, Lirim Deda e Halil Qendro, apo përkrah brezit më të ri, që në viteve ‘80 krijoi “shkollën poetike të Tepelenës” me Sadik Bejkon, Petrit Rukën, Qazim Shemajn e ndonjë tjetër.

Në parathënien e librit, Zhupa e cilëson poezinë e Bazes një himn dashurie, midis lindjes dhe vdekjes, qenies dhe humbjes, jetës dhe asgjësimit, një mënyrë adresimi drejt individit dhe grupit, këngës dhe gjuhës, familjes dhe atdheut,

Duke cituar poetin argjentinas Luis Borges se “vargu i mirë e humbet shkollën, poeti i mirë s’ka më shkollë”, poeti dhe publicist Preç Zogaj tha se as poezia e Mero Bazes nuk ka shkollë, pasi është një poezi e mirë. “Është një poezi që meriton të lexohet, një poezi që e shpërblen kohën që i dedikohet asaj. Është një poezi që e kënaq shijen e lexuesit me larminë, pasurinë e figuracionin, me ndjenjat e holla, me poezitë e nostalgjisë që na kujtojnë”, nënvizoi Zogaj.

Ai theksoi më tej, se pavarësisht se autori ka udhëtuar larg në publicistikë, me këtë përpjekje i rikthen poezisë mençuri dhe atë që shkrimtari, filozofi dhe eseisti francez Alain Finkielkraut e quante “të shkruash me zemër inteligjente”.

Miq të tjerë si Bedri Islami e Ilir Yzeiri folën për njohjen me autorin dhe krijimtarinë e tij, ndërsa u risoll për të pranishmit një kujtim i largët nga poeti Petrit Ruka dhe recitimi prej tij i një prej poezive të Bazes.

I gjendur mes një mjedisi kolegësh, por edhe miqsh e personazhesh që nuk njohin poetin Mero Bazen dhe për t’i shpëtuar gjyqit publik, vetë ai e sqaroi “këtë gabim” me fillesat e hershme të poezisë në shpirtin e tij. Por nga ana tjetër nuk mund të thoshte dy fjalë për gazetarët e rinj, ata që pritet të marrin stafetën dhe të çojnë përpara detyrën, punën dhe vetë ekzistencën e këtij profesioni që rrezikohet si shumëçka nga Inteligjenca Artificiale.

“Ka një distancë të frikshme nga letërsia dhe fjala e shkruar”, theksoi Baze, duke shtuar se mungesa e kulturës në gazetari dhe distanca e gazetarëve të rinj nga librat i bën ata të manipulueshëm, më të dobët, më pak të lexuar dhe, mbi të gjitha, i bën të paemër.

Duke iu referuar emrave të përveçëm të gazetarisë që spikasin ndër vite, që kanë bërë shpesh here kalimet e tyre mes gazetarisë dhe letërsisë, asnjëherë të pandarë nga kjo e fundit, Baze tha se diferencën e bëjnë vetëm gazetarët që kanë gjuhën e tyre të të shkruarit, stilin e tyre dhe, natyrisht kulturën e tyre.

“Mendoj se mbijetesa e gazetarisë mund të vijë pikërisht nga fakti se dikur gazetarët nuk shikoheshin thjesht si shkrues njoftimesh, por si njerëz tek të cilët publiku ka besim, mes të tjerash, se janë edhe të lexuar e të talentuar”, theksoi ai më tej. Prandaj edhe sugjerimi i tij ishte që të mos ndaheshin nga vaksina lexim, sepse vetëm ajo mund t’i diferencojë dhe shpëtojë.




Comments are closed.