×
E mërkurë, 28 Tetor, 2020

Bosnje: Migrantët akuzojnë policinë për keqtrajtim

14 Tetor, 2020

Migrantët që janë kthyer nga Bosnje-Hercegovina në Serbi kritikojnë ashpër policinë boshnjake për keqtrajtim. Por cili është realiteti dhe e vërteta?

Banja Koviljaça dhe Mali Zvornik pranë lumit Drina. Ato janë vendet ku shumë refugjatë kalojnë në Bosnjë, pika e fundit para hyrjes në vendet e Bashkimit Evropian. Për shkak të kalimit të paligjshëm, ata rrezikojnë gjithçka, veçanërisht jetën e tyre, sepse rrjedha e lumit Drina mund të jetë e rrezikshme. Ata notojnë natën në mënyrë që të mos kapen nga policia kufitare e Bosnje-Hercegovinës.
Disa i ikin policisë, por ata që kapen nga policia dhe kthehen në Serbi pretendojnë se ajo ndonjëherë tregohet shumë e pamëshirshme. Një duzinë djemsh që po qëndrojnë në stacionin hekurudhor të braktisur në Banja Koviljaça, të cilët janë kthyer në Serbi tre herë deri më tani, i thonë DW se kalimi i Drinës përfundoi fatalisht për tre nga miqtë e tyre.


“Ata që kanë para shkojnë me varka. Ne nuk kemi para, duhet ta kalojmë vetë lumin. Por policia boshnjake është e tmerrshme për ne. Herën e fundit që ata i shtynë të tre në Drina, ata nuk dinin të notonin. Ata u mbytën, kanë vdekur!”
Grupin e njëjtë të migrantëve e kthejnë deri në 22 herë në ditë. Kur i pyetëm a është e vërtetë, policia kufitare e Bosnje-Hercegovinës i tha DW se ata i respektojnë konventat që mbrojnë të drejtat dhe liritë e migrantëve. Ata thonë, se duan t’i dekurajojnë migrantët që të mos kalojnë.

“Oficerët e policisë Kufitare të Bosnje-Hercegovinës nuk i kthejnë migrantët. Kjo është në kompetencë të Shërbimit për të Huajt në Bosnje-Hercegovinë, por ne zbatojmë ligjin për kontrollin e kufirit dhe i pengojmë migrantët që përpiqen të kalojnë lumin Drina – nga Republika e Serbisë në Bosnje-Hercegovinë.” 
“Gjatë parandalimit të migrantëve ilegalë, oficerët e policisë nuk përdorin forcë. Por me sinjale dhe automjete zyrtare ata paralajmërojnë migrantët që të mos kalojnë kufirin shtetëror,” tha Franke Vican, zëdhënësi i policisë kufitare boshnjake. 
Në komunën e Zvornikut në Republikën Srpska, e cila është më e afërta nga vendi ku kalohet lumi Drina, flasin pak më ndryshe. “Të dhënat nga terreni dëshmojnë se midis 20 dhe 50 migrantë në ditë kthehen prej nga kanë ardhur. Kohët e fundit policia kufitare boshnjake bëri të ditur se të njëjtin grup e kanë kthyer 22 herë brenda një dite”, thotë Danica Pelemish-Subotiq nga zyra e kryetarit të Komunës së Zvornikut.
Ata u detyruan të kalonin lumin


Këto të dhëna i konfirmon edhe pala serbe. Drejtuesi i Qendrës së Azilit në Banja Koviljaça, Robert Lestmeister, thotë se është e vërtetë që katër trupa të pajetë janë gjetur në lumin Drina. “Ne morëm informacion nga policia kufitare e Serbisë, se para dy muajve ata kanë gjetur katër trupa të pajetë, brenda pak ditësh.” 
Lestmeister thotë se njerëzit kalojnë me një litar kur niveli i ujit është i ulët, e nganjëherë edhe me anije. Por policia kufitare e Bosnje-Hercegovinës po zbaton kontrolle shumë më të rrepta kufitare. “Ka pasur raste kur njëqind njerëz janë kapur dhe i kanë kthyer. E ata janë pranuar në anën tjetër, pa shumë vonesa e burokraci. Të paktën kjo është ajo që kemi dëgjuar”, tha Lestmeister. 
OJQ-të për të drejtat e njeriut, që kujdesen për refugjatët në Bonsje-Hercegovinë, nuk e dinë me siguri nëse disa nga migrantët janë mbytur në Drinë. Por ata konfirmuan rastet e kthimit të dhunshëm gjatë kalimit nëpër këtë lum. “Ekipet e Këshillit danez për refugjatë kanë regjistruar 191 kthime nga Bosnje-Hercegovina në Serbi, në periudhën nga marsi deri në tetor 2020. Të gjithë 191 personat në lëvizje raportuan, se ishin kthyer në Serbi përmes lumit Drina. 25 prej tyre u lejuan të përdorin anije, e 166 u detyruan ta kalonin lumin. Gjatë kalimit të detyruar të lumit, aftësitë e notit, gjendja fizike e njerëzve, mosha, moti dhe kushtet në lumë mund të ndikojnë kalimin. “Dëshmitarët pretendojnë, se në mesin e tyre ka pasur njerëz që nuk dinin not, njerëz me probleme shëndetësore dhe të moshuar”, pohojnë përfaqësuesit e kësaj organizate. 
“Mos mi thyej këmbët”

Policia bosnjake heziton të flasë për veprat e veta ndaj refugjatëve dhe migrantëve, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe shkeljen e konventave ndërkombëtare. Ajo akuzon policinë serbe se kohët e fundit nuk po kujdeset fare për kufirin e vet. Ministri i Punëve të Brendshme i Kantonit Una-Sana, Nermin Kljajiq thotë për DW, se kohët e fundit ata janë ndeshur me migrantë të kthyer nga kufiri kroat, të cilët janë keqtrajtuar dhe kanë mbërritur pa sende personale, madje edhe pa rroba. Këtë e konfirmojnë edhe OJQ-të. Bëhet fjalë për dhunë dhe trajtim jonjerëzor, për asgjësimin e sendeve personale dhe për plaçkitjen e tyre.

Gjatë vizitës në kampin Miral nuk kemi takuar pothuajse asnjë migrant, i cili nuk flet për ndonjë lloj keqtrajtimi nga policia kroate. Zulkar Nain tha, se ai është i vetdijshëm për veprimet e tij ilegale dhe mundësinë e kapjes. “Vetëm mos të mi thyejnë këmbët”, thotë 31-vjeçari.

Eunews.al

Komente

avatar
  Ndiqe  
Me lajmëro për