Integrimi në BE, mbështetja e qytetarëve malazezë në minimumin historik
Ngadalësimi i procesit të zgjerimit dhe vendimi për një reformim të politikës së zgjerimit duket se po jep efektet e para negative. Kritikët e vendimit të Francës për mos hapjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, parashikuan që ky vendim do të ndikonte në vetë besueshmërinë e politikës së zgjerimit edhe ndaj vendeve të tjera të rajonit të Ballkanit Perëndimor si Serbia dhe Mali i Zi.
Në një sondazh të titulluar “Opinioni Politik i Publikut në Malin e Zi” i hartuar nga Qendra për Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut (CEDEM), ku janë pyetur 1009 qytetarë mbarë vendin, vihet re një ulje e mbështetjes së qytetarëve ndaj anëtarësimit të vendit të tyre në BE.
Pyetjes nëse Mali i Zi po shkon në drejtimin e duhur, shumica e qytetarëve i janë përgjigjur që vendi po shkon në drejtimin e gabuar (46%) dhe vetëm 28% mendojnë të kundërtën. Nëse i krahasojmë këto përgjigje me sondazhet e mëparshme, drejtoresha e CEDEM, Milena Bešić shprehet se qytetarët që mendojnë se vendi po shkon në drejtimin e gabuar është një trend në rritje.
Ndërsa pyetjes së drejtpërdrejtë nëse Mali i Zi duhet të jetë një vend anëtar i BE-së, 55% e qytetarëve të pyetur janë në mbështetje të anëtarësimit, 26 % të qytetarëve mendojnë që nuk duhet të anëtarësohet dhe 19% nuk kanë një opinion mbi çështjen. Menaxheri i Programit, Ognjen Marković, ne lidhje me këto rezultate shprehet se: “Kur flasim për matjen e trendit të mbështetjes së qytetarëve ndaj BE-së, ky rezultat është në minimumin historik që nga koha kur CEDEM filloi të kryente hulumtime në 2007”.
Nëse i referohemi edhe sondazheve në nivel europian ato konfirmojnë trendin në rritje të qytetarëve të Bashkimit Europian, të cilët janë kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së me vende të tjera. Në këto kushte efekti i Brexit, së bashku me opinionet e qytetarëve në BE dhe jashtë saj kërkojnë një momentum të ri për politikën e zgjerimit, e cila nëpërmjet reformimit duhet të marrë parasysh sfidat e lartpërmendura.
Eunews.al