Besfort Lamallari: Hapen 300 vende në Policinë e Shtetit, aplikimet deri më 18 shtator

17 Aug 2026 11:06
Shpërndaje:

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të reja pune për të rinjtë dhe të rejat që synojnë të bëhen pjesë e strukturave të saj.

Lajmi është bërë i ditur edhe nga ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, i cili u bëri thirrje të interesuarve të aplikojnë për t’iu bashkuar Policisë së Shtetit.

Vendet e lira janë për pranimin në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”, ndërsa aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026.

Reklamë Ola

Sipas njoftimit, procesi i konkurrimit do të zhvillohet mbi bazën e meritës, mundësive të barabarta, transparencës dhe integritetit.

“300 vende për të rinj e të reja që duan të zgjedhin një profesion me mision: Policinë e Shtetit”, shkruan Lamallari.

Reklamë InterMedika

Ministri thekson se uniforma e Policisë përfaqëson një mundësi për të kontribuar në sigurinë dhe rendin publik, duke ftuar veçanërisht të rinjtë që kërkojnë të ndërtojnë një karrierë në strukturat e rendit.

“Për të rinjtë që duan të jenë pjesë e një Shqipërie europiane, moderne dhe të sigurt, uniforma është një mundësi për të kontribuar me dinjitet, profesionalizëm dhe përgjegjësi”, shkruan ministri.

Lamallari thekson gjithashtu rëndësinë e forcimit të strukturave të Policisë së Shtetit me punonjës të rinj, duke e cilësuar rendin dhe sigurinë si parakushte për zhvillimin e vendit.

“Shqipëria ka nevojë për njerëz që zgjedhin të shërbejnë me uniformë, për rend e siguri si parakusht i zhvillimit. Bëhuni pjesë e Policisë së Shtetit dhe e misionit për një Shqipëri më të sigurt”, përfundon Lamallari.