Bekim Sejdiu pranon propozimin për President të Kosovës: Jam në shërbim të qytetarëve dhe shtetit

31 Aug 2026 14:34
Shpërndaje:

Bekim Sejdiu ka dhënë deklaratën e parë publike pasi emri i tij u propozua si kandidat për President të Kosovës, në kuadër të negociatave mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sejdiu konfirmoi se gjatë bisedimeve mes dy forcave politike, emri i tij ka arritur të marrë dakordësinë e palëve, ndërsa bëri të ditur se e ka pranuar propozimin.

Ai u shpreh i nderuar nga besimi që i është dhënë, duke theksuar se ambiciet e tij kanë qenë kryesisht të lidhura me fushën akademike, por se është i gatshëm të marrë përsipër përgjegjësinë e kreut të shtetit.

Reklamë Ola

“Kjo mua më bën të ndihem i nderuar, besimi që më kanë dhënë përfaqësuesit e dy partive. Unë e kam pranuar këtë propozim, edhe pse ambicia ime ka qenë gjithmonë në fusha akademike”, deklaroi Sejdiu.

Ai theksoi se është i vetëdijshëm për peshën dhe përgjegjësinë që mbart posti i Presidentit, veçanërisht në situatën aktuale politike në të cilën ndodhet Kosova.

Reklamë InterMedika

“Duke qenë i vetëdijshëm edhe për barrën dhe përgjegjësinë që sjell posti i Presidentit, por edhe në kontekstin aktual politik, jam në shërbim të Kosovës, qytetarëve dhe shtetit tonë, që të shërbej me devotshmëri siç kam bërë gjithmonë”, u shpreh kandidati për President.

Deklarata e Sejdiut vjen pas negociatave mes Vetëvendosjes dhe LDK-së për gjetjen e një kandidati të pranueshëm për kreun e shtetit, një marrëveshje që shihet si vendimtare për zhbllokimin e ngërçit politik dhe krijimin e institucioneve të reja të Kosovës.

Pranimi i propozimit nga Sejdiu shënon një zhvillim të rëndësishëm në negociatat mes dy partive, ndërsa tashmë vëmendja pritet të përqendrohet te sigurimi i mbështetjes së nevojshme në Kuvend për zgjedhjen e Presidentit të ri.