Begaj merr progresraportin e BE-së: Synojmë mbylljen e negociatave në 2027

05 Nov 2026 • 12:59
Shpërndaje:

Presidenti Bajram Begaj priti ambasadoren e Bashkimit Europian në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa, e cila i dorëzoi progresraportin e Komisionit Europian për vendin. Gjatë takimit, Begaj riafirmoi synimin e Shqipërisë për të përfunduar negociatat deri në fund të vitit 2027 dhe për t’u anëtarësuar në BE në vitin 2030.

Kreu i shtetit e cilësoi raportin si dëshmi të përparimit të Shqipërisë në procesin e integrimit dhe shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Komisionit Europian ndaj vendit dhe për politikën e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.

Në takim u diskutua edhe për vijimin e reformave, me fokus forcimin e sundimit të ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe garantimin e lirisë së medias.

Reklamë Ola

Begaj theksoi se funksionimi i institucioneve dhe dialogu demokratik, së bashku me respektimin e shtetit të së drejtës, mbeten thelbësore për përparimin drejt anëtarësimit.