BE shqyrton pezullimin e përkohshëm të azilit në kriza migratore

01 Oct 2026 • 22:09
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian po diskuton mundësinë e krijimit të një mekanizmi emergjence që, në raste të jashtëzakonshme të flukseve masive migratore, mund të lejojë masa të përkohshme më të ashpra në kufijtë e jashtëm, përfshirë debatet mbi pezullimin e aplikimeve për azil.

Diskutimi është rikthyer në qendër të vëmendjes pas krizës së verës në Ceuta, territorin spanjoll në Afrikën e Veriut, ku në fund të korrikut pati hyrje të parregullta në shkallë të gjerë. Komisioni Evropian e ka cilësuar situatën si një shembull të mënyrës se si mbërritjet e papritura dhe masive mund të krijojnë gjendje emergjence në kufijtë e jashtëm të BE-së.

Ministrat e Brendshëm të vendeve të BE-së diskutuan të enjten në Luksemburg mënyrat për të forcuar reagimin ndaj krizave migratore dhe kërcënimeve hibride në kufijtë e jashtëm. Greqia paraqiti në takim çështjen e një mekanizmi evropian emergjence, ndërsa Komisioni po përgatit hapa të mëtejshëm mbi këtë çështje.

Reklamë Ola

Ministri i Brendshëm i Austrisë, Gerhard Karner, argumentoi se rregullat ekzistuese mund të mos jenë të mjaftueshme në rastet kur dhjetëra mijëra persona mbërrijnë në një periudhë shumë të shkurtër.

Greqia ka mbështetur idenë që, në rrethana të jashtëzakonshme, aplikimet për azil të mund të pezullohen përkohësisht. Qëndrime mbështetëse janë sinjalizuar gjithashtu nga Austria dhe Gjermania, ndërsa disa shtete të tjera presin propozimin konkret të Komisionit përpara se të pozicionohen.

Reklamë InterMedika

Komisioneri për Migracionin, Magnus Brunner, ka theksuar se BE-ja duhet të jetë në gjendje të reagojë shpejt ndaj situatave të tilla. Komisioni prezantoi më 29 shtator një plan me pesë pika për forcimin e sigurisë së kufijve të jashtëm dhe reagimin ndaj mbërritjeve të papritura dhe masive, përfshirë një rol më të madh të agjencive evropiane dhe krijimin e instrumenteve të reja të emergjencës.

Megjithatë, ideja e pezullimit të procedurave të azilit ka ngritur shqetësime për respektimin e të drejtave themelore dhe të detyrimeve ndërkombëtare. Diplomatë evropianë kanë paralajmëruar se çdo mekanizëm i ri duhet të përcaktojë qartë se çfarë masash mund të ndërmerren pa cenuar të drejtën për azil apo pa çuar në kthime kolektive të paligjshme.

Debati zhvillohet vetëm pak muaj pasi Pakti i ri i BE-së për Migracionin dhe Azilin hyri plotësisht në zbatim më 12 qershor 2026. Ai parashikon tashmë procedura të posaçme për krizat, përshpejtim të procedurave të azilit dhe kthimit, mbështetje operative dhe financiare për vendet nën presion, si edhe masa kundër instrumentalizimit të migrantëve nga vende të treta.

Kriza në Ceuta ka nxitur gjithashtu rikthimin e kontrolleve të përkohshme kufitare nga disa vende të zonës Schengen për shkak të shqetësimeve mbi lëvizjet dytësore të migrantëve.