BE shqyrton masa të reja kundër produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor
Komisioni Evropian po shqyrton masa më të ashpra për të kufizuar importet e produkteve nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor, të cilat konsiderohen të paligjshme sipas të drejtës ndërkombëtare.
Sipas një dokumenti konfidencial të Komisionit Evropian, të siguruar nga POLITICO, Brukseli propozon forcimin e zbatimit të rregullave ekzistuese për të reduktuar hyrjen në tregun europian të mallrave që vijnë nga këto vendbanime, pa qenë e nevojshme miratimi i legjislacionit të ri.
Ndër opsionet që po shqyrtohen janë vendosja e një sistemi licencimi për importet, ku produktet nga vendbanimet izraelite do të kërkonin autorizim të veçantë për t’u eksportuar në Bashkimin Evropian, vendosja e tarifave shtesë për këto mallra ose ndalimi i plotë i importeve nga vendbanimet e paligjshme.
Dokumenti u hartua me kërkesë të Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikën e Jashtme, Kaja Kallas, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së muajin e kaluar në Luksemburg.
Komisioni kishte paraqitur më herët edhe propozime për kufizime tregtare dhe sanksione ndaj ministrave izraelitë që i konsideron “ekstremistë”, por këto iniciativa nuk kanë siguruar mbështetjen e nevojshme të shteteve anëtare.
Pezullimi i plotë i marrëveshjes tregtare mes BE-së dhe Izraelit ose vendosja e sanksioneve ndaj zyrtarëve izraelitë kërkon miratimin unanim të të 27 vendeve anëtare. Çekia ka bërë të ditur se do të vendosë veto ndaj çdo mase të tillë.
Edhe pse produktet nga vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor nuk përfitojnë teorikisht nga marrëveshjet preferenciale tregtare me BE-në, disa shtete anëtare kanë ngritur shqetësimin se ato mund të hyjnë në tregun europian për shkak të mungesës së etiketimit dhe monitorimit të duhur.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian pritet t’i diskutojnë këto propozime gjatë mbledhjes së tyre në Bruksel më 13 korrik.
Një zyrtar europian, kritik ndaj propozimeve, i tha POLITICO-s se masat kanë më shumë karakter simbolik sesa ndikim real.
“Është një masë simbolike. Të ndërmerren hapa simbolikë në këtë fazë është shumë pak dhe shumë vonë, ndërsa në prag të zgjedhjeve në Izrael mund të ushqejë retorikën që dëshirojnë ministrat më të ashpër të qeverisë izraelite”, tha ai.
Izraeli pritet të zhvillojë zgjedhje parlamentare në muajin tetor.







