×
Thursday, July 9, 2026

Pirdeni: Administrata publike synon të tërheqë profesionistët, ligji i ri do të përshpejtojë vendimmarrjen

July 9, 2026


Ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni, deklaroi se rritja e atraktivitetit të administratës publike dhe rekrutimi i profesionistëve në fushat prioritare mbeten ndër objektivat kryesore të qeverisë, ndërsa prezantoi edhe ndryshimet që sjell ligji i ri për administratën shtetërore.

Në një konferencë për mediat, Pirdeni tha se administrata publike nuk synon vetëm plotësimin e vendeve vakante, por edhe tërheqjen e profileve profesionale që do të mbështesin procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Ne jo vetëm duam të rekrutojmë, por duhet të kemi edhe ata që duan t’i bashkohen administratës publike dhe të jenë pjesë e këtij rrugëtimi historik të Shqipërisë”, u shpreh ministrja.

Sipas saj, aktualisht ka mesatarisht 23 kandidatë për çdo vend pune në administratë, por mbetet e nevojshme forcimi i kapaciteteve në sektorët ku kërkohen ekspertiza specifike.

Pirdeni bëri të ditur se po hartohet një strategji për identifikimin dhe rekrutimin e profesionistëve në fushat prioritare të politikave publike dhe zbatimit të legjislacionit të BE-së.

“Synimi është që, në një periudhë afatmesme, të rekrutojmë profesionistë në të gjithë spektrin e politikave që duhet të mbulojmë sot si vend aspirant për anëtarësim në BE dhe nesër si vend anëtar”, tha ajo.

Ministrja u ndal edhe te projektligji “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”, i miratuar së fundmi në Kuvend, duke theksuar se ai synon të modernizojë administratën, të standardizojë funksionimin e institucioneve dhe të përshpejtojë procesin e vendimmarrjes.

Sipas saj, me hyrjen në fuqi të ligjit, çdo institucion në varësi të ministrive do të jetë i detyruar të hartojë një plan vjetor performance, me objektiva të publikuara në fillim të vitit dhe raportim publik për realizimin e tyre në fund të vitit.

Pirdeni theksoi se ky mekanizëm do të rrisë transparencën dhe llogaridhënien, ndërsa një tjetër risi është delegimi i vendimmarrjes te drejtori i përgjithshëm i institucioneve, përveç rasteve kur ligji ia rezervon këtë kompetencë ministrit ose sekretarit të përgjithshëm.

Sipas saj, ndryshimet synojnë deburokratizimin e administratës publike, përshpejtimin e procedurave dhe garantimin që vendimet të merren nga strukturat përgjegjëse gjatë gjithë ciklit të hartimit dhe zbatimit të politikave publike.




Comments are closed.