Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Johann Wadephul, deklaroi se NATO mbetet e bashkuar dhe më e fortë se kurrë, pavarësisht tensioneve të fundit me presidentin amerikan Donald Trump gjatë samitit të Aleancës në Ankara.
“NATO po qëndron e bashkuar. Në fund të samitit, Trump qëndroi qartë në anën e aleatëve evropianë të Shteteve të Bashkuara”, u shpreh Wadephul.
I pyetur nëse aleanca ishte pranë një pike thyerjeje, kryediplomati gjerman e hodhi poshtë këtë ide.
“NATO është më e fortë se kurrë”, deklaroi ai.
Sipas Wadephul, anëtarësimi i fundit i Suedisë dhe Finlandës dëshmon besimin në Aleancë, ndërsa NATO ka treguar gjithashtu se është e aftë të ofrojë mbështetje të fortë për Ukrainën.
Ai pranoi se gjatë samitit pati “deklarata irrituese” në publik, por theksoi se në diskutimet me dyer të mbyllura mbizotëroi uniteti.
“Në diskutimet e brendshme ishim shumë të bashkuar dhe shumë të qartë me njëri-tjetrin. Amerikanët vazhdojnë të jenë partnerë shumë të besueshëm në të gjitha strukturat dhe diskutimet politike të NATO-s”, tha ai.
Wadephul vlerësoi gjithashtu rritjen e rolit të vendeve europiane në mbrojtjen kolektive.
“Aleatët evropianë po marrin më shumë përgjegjësi brenda NATO-s. Kjo është pozitive, sepse na bën më pak të varur nga të tjerët”, u shpreh ministri.
Gjatë samitit në Ankara, Trump kritikoi publikisht disa aleatë europianë. Ai kërcënoi të ndërpriste tregtinë me Spanjën, duke e cilësuar atë një “partner të tmerrshëm” për shkak të nivelit të shpenzimeve ushtarake dhe refuzimit për të mbështetur operacionet amerikane ndaj Iranit.
Presidenti amerikan përmendi gjithashtu Gjermaninë mes vendeve që, sipas tij, e kishin zhgënjyer SHBA-në.
Megjithatë, në konferencën përmbyllëse të samitit, Trump zbuti tonin, duke e cilësuar takimin “jashtëzakonisht të suksesshëm” dhe duke vlerësuar unitetin dhe “dashurinë e jashtëzakonshme” mes aleatëve të NATO-s.