×
Thursday, July 9, 2026

Aleatët europianë ndryshojnë qasje ndaj Trump: “Po investojmë në mbrojtje për veten tonë, jo për t’i bërë qejfin SHBA-së”

July 9, 2026


Aleatët europianë të NATO-s po ndryshojnë gradualisht qasjen ndaj presidentit amerikan Donald Trump, duke kaluar nga përpjekjet për ta qetësuar atë në një qëndrim më të sigurt dhe më të pavarur, ndërsa rrisin investimet në mbrojtje.

Sipas një analize të POLITICO, vendet europiane dhe Kanadaja nuk e konsiderojnë më prioritet kryesor shmangien e përplasjeve me Trump, pasi besojnë se forcimi i kapaciteteve të tyre ushtarake u jep më shumë besim në marrëdhëniet me Uashingtonin.

“Unë nuk erdha këtu për t’i bërë qejfin Trumpit. Erdha sepse kemi përgjegjësi për sigurinë tonë dhe për forcimin e aftësive parandaluese. Bëmë atë që duhej të bënim”, deklaroi ministri i Jashtëm i Luksemburgut, Xavier Bettel.

Një diplomat i lartë i NATO-s u shpreh se aleanca nuk duhet të udhëhiqet më nga frika ndaj presidentit amerikan.

“Jam lodhur duke u alarmuar për Trump. Këtë po e bëjmë për veten tonë”, tha ai.

Në samitin e NATO-s në Ankara, 32 vendet anëtare miratuan një deklaratë të përbashkët për rritjen e investimeve në mbrojtje, zhvillimin e kapaciteteve të reja ushtarake, përfshirë dronët, si dhe mbi 50 miliardë dollarë marrëveshje të reja për prokurime ushtarake.

Në fund të samitit, Trump u shpreh i kënaqur me rezultatin.

“Fjala që përshkruan këtë samit është uniteti. Ishte një takim i mrekullueshëm. Kishte shumë respekt dhe madje dashuri për vendin tonë”, deklaroi presidenti amerikan.

Megjithatë, samiti nisi me tensione. Trump kritikoi sërish aleatët që, sipas tij, nuk shpenzojnë mjaftueshëm për mbrojtjen, sulmoi Spanjën për kontributet e ulëta në NATO dhe riktheu pretendimin e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës.

Por këtë herë, aleatët nuk reaguan me të njëjtën kujdes si në samitet e kaluara.

Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs, deklaroi se Groenlanda është pjesë e pandashme e Danimarkës, ndërsa kryeministrja islandeze Kristrún Frostadóttir theksoi se ishulli u përket vetëm banorëve të tij.

Edhe kryeministri belg Bart De Wever kritikoi mënyrën se si SHBA zhvilloi operacionet ushtarake ndaj Iranit, duke vënë në dyshim efektivitetin e tyre.

Sipas burimeve të POLITICO, në takimet me dyer të mbyllura Trump përdori një ton më të moderuar. Ai vlerësoi Poloninë, Gjermaninë dhe vendet baltike për rritjen e shpenzimeve ushtarake dhe, ndryshe nga deklaratat publike, nuk përmendi as Spanjën dhe as Groenlandën.

Kancelari gjerman Friedrich Merz u tha liderëve se rritja e investimeve në mbrojtje është në interes të vetë Europës, jo vetëm të NATO-s apo Shteteve të Bashkuara.

Ed Arnold, analist në institutin britanik Royal United Services Institute, vlerëson se rritja e buxheteve europiane po zvogëlon ndikimin politik të Uashingtonit mbi aleatët.

Sipas të dhënave të NATO-s, Europa dhe Kanadaja rritën shpenzimet ushtarake me 20% gjatë vitit të kaluar dhe pritet t’i rrisin edhe me 11% gjatë vitit 2026. Në total, 31 aleatët joamerikanë përfaqësojnë tashmë rreth 43% të shpenzimeve totale të mbrojtjes së NATO-s.

Ministri belg i Mbrojtjes, Theo Francken, deklaroi se Europa mund të jetë në gjendje të marrë përsipër vetë mbrojtjen konvencionale të kontinentit brenda pesë deri në dhjetë viteve.

“Ndryshe nga samiti i kaluar, këtë vit kishte shumë më pak frikë nga zemërimi i Trump. Forcat e armatosura europiane po forcohen me shpejtësi. Nuk po e bëjmë më këtë për ta kënaqur Trumpin, por nga respekti i rifituar për Europën. Ky kontinent është shtëpia jonë”, shkroi ai në rrjetet sociale.




Comments are closed.