BE pret mbi 200 milionë doza të vaksinës BioNTech-Pfizer
Bashkimi Europian do të marrë 200 milionë doza të vaksinës antiCOVID-19 të BioNTech-Pfizer në tremujorin e dytë, pas një marrëveshjeje që parashikonte një përshpejtim të livrimeve, njoftoi sot Komisioni Europian.
Ekzekutivi europian, i ngarkuar për të negociuar porositë e vaksinave në emër të 27 shteteve të BE, zbuloi një marrëveshje të arritur me gjermanin BioNTech dhe amerikanin Pfizer për të përshpejtuar livrimin e 10 milionë dozave në raport me kalendarin e mëparshëm, sipas komunikatës.
“Ky përshpejtim (…) do ta çojë në më shumë se 200 milionë numrin total të dozave të BioNTech-Pfizer, të pritura në tremujorin e dytë”, konfirmoi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
“Kjo u jep vendeve anëtare një hapësirë për manovrim dhe kjo do të plotësojë potencialisht mungesat e disa vaksinave”, shtoi ajo.
Një kontratë e parë e nënshkruan në vjeshtë nga BE parashikonte livrimin e 200 milionë dozave të BioNTech-Pfizer para shtatorit 2021, më pas 100 milionë më vonë.
Një kontratë e dytë e nënshkruar më 8 janar kishte të bënte me 300 milionë doza shtesë (200 milion me një mundësi për 100 milion më shumë), me deri në 75 milionë doza në dispozicion nga tremujori i dytë.
“Livrimi i “përshpejtuar” i 10 milionë dozave, njoftuar sot është pjesë e opsionit të 100 milionë dozave të kësaj kontrate të dytë, të cilat fillimisht nuk do të ishin në dispozicion deri në tremujorin e tretë të vitit 2021″, sipas komunikatës për shtyp.