BE hap rrugën për qendrat e dëbimit jashtë unionit, rregulla më të ashpra për migrantët

04 Oct 2026 • 09:44
Shpërndaje:

Bashkimi Evropian i ka dhënë dritën jeshile rregullave të reja për kthimin e personave që nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në territorin e unionit, duke krijuar për herë të parë bazën ligjore për ngritjen e të ashtuquajturave “Return Hubs” në vende të treta. Vendimi u miratua nga ministrat e Brendshëm të BE-së në Luksemburg. 

Qendrat do të mund të përdoren për personat që kanë marrë një vendim për largim nga BE-ja, por kthimi i të cilëve në vendin e origjinës nuk mund të realizohet menjëherë. Për ngritjen e tyre do të kërkohet një marrëveshje mes një shteti anëtar ose BE-së dhe një vendi të tretë. Sipas Këshillit të BE-së, këto marrëveshje mund të lidhen vetëm me vende që respektojnë standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe parimin e moskthimit në vende ku personi mund të përballet me persekutim apo rrezik serioz. Të miturit e pashoqëruar përjashtohen nga ky mekanizëm. 

Gjermania, Austria, Danimarka, Greqia dhe Holanda kanë qenë ndër vendet që kanë shtyrë përpara idenë e qendrave jashtë BE-së. Ministri gjerman i Brendshëm, Alexander Dobrindt, ka konfirmuar se po zhvillohen bisedime me vende të treta, por pa bërë publik emrat e tyre. Në diskutimet publike janë përmendur ndër të tjera Ruanda dhe Uganda, ndërsa deri tani nuk është konfirmuar zyrtarisht vendi ku mund të ngrihet qendra e parë. 

Reklamë Ola

Rregullorja e re vendos gjithashtu detyrime më të forta për personat që kanë marrë urdhër largimi. Ata duhet të bashkëpunojnë me autoritetet gjatë procedurës së kthimit, ndërsa mosbashkëpunimi mund të sjellë masa që, në varësi të legjislacionit kombëtar, përfshijnë gjoba, kufizim të disa përfitimeve apo humbjen e stimujve për kthim vullnetar. 

Për personat që konsiderohen rrezik për sigurinë parashikohen masa edhe më të forta, përfshirë ndalim hyrjeje pa afat kur kjo vlerësohet e justifikuar dhe proporcionale. Në raste të caktuara, periudha e ndalimit mund të kalojë edhe 24 muaj. 

Reklamë InterMedika

Plani ka shkaktuar kundërshtime nga organizatat e të drejtave të njeriut. Amnesty International ka paralajmëruar se “Return Hubs” mund të krijojnë rrezik për ndalime arbitrare, keqtrajtim dhe kthime të detyruara drejt vendeve ku personat mund të përballen me shkelje të rënda të të drejtave. Organizata ka shprehur shqetësime të veçanta për ide që përfshijnë Ruandën dhe Ugandën. 

Rregullorja do të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare të BE-së. Dispozitat që lidhen me qendrat e kthimit do të mund të zbatohen menjëherë, ndërsa disa masa të tjera që kërkojnë përgatitje administrative do të aplikohen pas një viti.