×
Friday, October 7, 2022

Balluku dhe Gjici në aeroportin e Kukësit: Angazhim maksimal për ta përfunduar brenda afatit të premtuar

December 16, 2020

Ndërtimi i Aeroportit të Kukësit po ecën me ritëm të mirë, ku dhjetëra makineri të rënda punojnë në të njëjtën kohë në disa fronte, për të bërë të mundur që kjo vepër e rëndësishme të jetë plotësisht në funksion në afatin e premtuar.

Po punohet njëkohësisht për shtimin dhe zgjerimin e pistës si dhe ndërtimin e godinave të nevojshme, të cilat do të jenë pjesë e funksionimit të këtij aeroporti, e ndërkohë paralelisht kanë nisur procedurat edhe për licensimin e tij.

Pista aktuale e këtij aeroporti po shtohet me 300 metra, për të arritur në total një gjatësi prej 2.2 kilometrash, duke plotësuar në këtë mënyrë të gjithë elementët e nevojshëm të sigurisë.

Për të ndjekur nga afër ecurinë e punimeve si dhe për t’u njohur me zgjidhjen e problematikave të ndryshme që paraqet ndërtimi i një vepre të tillë kaq komplekse, Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku kreu një inspektim në kantier, e shoqëruar nga kryetari i bashkisë Kukës, Safet Gjici dhe përfaqësuesit e kompanisë koncensionare.

Ridgers Mema, përfaqësues i “Kukës International Airport”, bëri të ditur se punimet kanë avancuar ndjeshëm dhe se synohet që ato të përfundojnë në fund të muajit shkurt, për t’i lënë më pas kohën testimeve të nevojshme për t’u certifikuar si aeroport ndërkombëtar.

“Fatkeqësisht të gjitha objektet ekzistuese në aeroportin e Kukësit ishin jashtë standardit dhe na u desh t’i shembnim ose jemi në pritje që t’i shembnim, siç është kulla, magazina dhe terminali i vjetër. Çdo gjë është ndërtuar nga fillimi, sepse të gjitha objektet ekzistuese nuk i plotësonin dot kushtet, sidomos distancat nga pista, për të bërë të mundur navigimin ajror”, sqaroi Mema.

Për ndërtimin e Aeroportit të Kukësit po punojnë njëkohësisht disa kompani, krahas atyre shqiptare edhe kompania holandeze NACO, një ndër kompanitë më të njohura në botë në fushën e aviacionit civil.

“Jemi në një aeroporti, i cili është ndërtuar për qëllime ushatarake, me parametra të tjerë, të cilët nuk përputhen me parametrat e aviacionit civil, kështu që pavarësisht se është thënë gjithmonë që aeroporti i Kukësit ekziston aty dhe mjafton të bëhen disa modifikime, këtu praktikisht po ndërtohet një aeroport i ri”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Qeveria Shqiptare, theksoi ministrja Belinda Balluku, ka marrë të gjitha masat për të për t’i ofruar këtij aeroporti të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

“Sapo kemi mbyllur procedurën pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar për ndërtimin e rrugës së aeroportit të Kukësit, që lidh qytetin e Kukësit dhe Rrugën e Kombit me aeroportin, duke i krijuar kështu infrastrukturën e duhur një aeroporti ndërkombëtar. Në këtë zonë gjithashtu kemi pasur një investim të OSHEE-së duke sjellë këtu linjën 20 kilovolt dhe duke i dhënë një furnizim me atë që kërkohet për operimet e aeroportit për të mos pasur problematika”, nënvizoi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministrja Belinda Balluku tha se pavarësisht volumit të madh të punimeve dhe procedurave që ka ndërtimi i kësaj vepre, ka një angazhim maksimal për t’a përfunduar atë në afatin e premtuar.

“Kantieri është gjigand, ndoshta është një nga kantieret më të mëdhenj që kemi në këto momente dhe me të vërtetë do të doja t’ju përgëzoja për kohën që ju jeni duke kapur dhe afatin që dukej totalisht i pamundur në fillim, por edhe për të gjithë këtë angazhim maksimal nga ana juaj dhe gjithë kompanive kontraktore”, u shpreh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Aeroporti i Kukësit do të ketë të punësuar si pjesë të stafit të tij afro 200 punonjës, ndërsa terminali i pasagjerëve, i cili është duke u ndërtuar, do të jetë me dy kate, ku do të jenë të stacionuar edhe zyrat shtetërore. Për këtë aeroport do të përdoret një teknologji satelitore e siguruar nga Shërbimi Europian i Navigimit nëpërmjet satelitit.

Eunews.al

0 0 votes
Article Rating


Ndiqe
Me lajmëro për
guest
0 Comments
Inline Feedbacks
View all comments