Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka reaguar pas dekretit të Presidentit të Republikës, Bajram Begaj për caktimin e datës 9 Maj 2027 për mbajtjen e zgjedhjeve vendore, datë e cila përkon me Ditën e Europës.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Balla e cilëson këtë datë si simbolike, pasi përkon me Ditën e Europës dhe përkujton vlerat e lirisë, demokracisë, paqes dhe bashkëpunimit europian.
Balla e lidh procesin zgjedhor me objektivin strategjik të Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian, duke theksuar se viti 2027 do të jetë vendimtar për mbylljen e negociatave, ndërsa dy vitet pasuese do të jenë të rëndësishme për ratifikimin e traktatit të anëtarësimit nga vendet anëtare.
Sipas Ballës, Shqipëria nuk duhet të humbasë këtë moment historik. Ai shprehet se Kryeministri Edi Rama dhe Partia Socialiste do ta çojnë përpara dhe do ta përmbyllin procesin e anëtarësimit në BE.
Balla përmend gjithashtu 9 majin e vitit 2030 si një datë simbolike për Shqipërinë europiane, kur, sipas tij, flamuri kuqezi do të valëvitet në institucionet europiane në Bruksel dhe Strasburg.
Në përfundim, kreu i Grupit Parlamentar të PS-së thekson se Partia Socialiste do të hyjë në zgjedhjet vendore të 9 majit 2027 me objektivin e fitores në 46 bashkitë e vendit.


