×
Tuesday, July 21, 2026

Balla prezanton ndryshimet në ligjin për turizmin: Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë europiane, princeshë të turizmit mesdhetar

July 21, 2026


Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla prezantoi sot në mbledhjen e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm projektligjin për disa ndryshime në ligjin “Për Turizmin”, të cilin e cilësoi një hap të rëndësishëm për rritjen e standardeve të sektorit dhe zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit në Shqipëri.

Në fjalën e tij Balla theksoi se së bashku do ta bëjmë Shqipërinë europiane, princeshë të turizmit mesdhetar.

“Së bashku do ta bëjmë Shqipërinë evropiane princeshë të turizmit mesdhetar dhe do t’u tregojmë edhe të gjithë atyre që e përgojuan si s’ka më keq shtetin tonë, se Shqipëria e ka shumë seriozisht transformimin e saj epokal”, tha Balla.

Më tej gjatë fjalës së tij, Balla u shpreh se Shqipëria ndodhet në një moment historik të zhvillimit të turizmit, duke theksuar se numri i turistëve është rritur gjashtë herë krahasuar me 13 vite më parë. Sipas tij, kjo rritje kërkon standarde më të larta për strukturat akomoduese, shërbimet dhe administrimin e sektorit.

Projektligji parashikon përmirësimin e procesit të kategorizimit dhe klasifikimit të strukturave akomoduese, regjistrimin elektronik të klientëve, krijimin e Regjistrit Qendror të Turizmit, forcimin e administrimit të mbetjeve nga hotelet, si dhe masa për pezullimin e punimeve të ndërtimit gjatë sezonit turistik në zonat turistike.

“Nuk mund të fillojë ndërtimi i një objekti si pallat dhe të përfundojë si hotel. Nëse ndërtohet hotel, ai duhet të projektohet dhe të ndërtohet si i tillë që në fillim”, u shpreh Balla, duke theksuar se Shqipëria duhet të ecë me standardet më të mira evropiane.




Comments are closed.