Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka sulmuar në Kuvend Sali Berishën për qëndrimin ndaj SPAK-ut, duke e akuzuar për standard të dyfishtë dhe për përpjekje për ta kthyer Parlamentin në një institucion që heton dhe gjykon vetë.
Në nisje të fjalës së tij, Balla korrigjoi një lapsus të Berishës për ish-futbollistin Andi Lila, ndërsa u ndal edhe te çështja e publikimit të videove intime.
Balla tha se gratë dhe vajzat e prekura nga publikimi i materialeve të tilla meritojnë solidaritet dhe jo përdorim politik.
“Besoj që të gjitha gratë e Kuvendit të Shqipërisë duhet të bëjnë një deklaratë ku të solidarizohen me vajzat dhe gratë. Kushdo që është pas publikimit të atyre filmimeve duhet të marrë një dënim të merituar”, u shpreh ai.
Më tej, Balla u përqendrua te qëndrimi i opozitës ndaj SPAK-ut, duke theksuar se informacionet mbi të cilat opozita kërkon mocion me debat burojnë pikërisht nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme.
“Kur ua do interesi juaj politik, ju i referoheni informacioneve të Prokurorisë së Posaçme nga hetimet e një dosjeje. Por është momenti që të ndani qëndrimin tuaj. Prokuroria e Posaçme është seksion i Partisë Socialiste, siç tha udhëheqësi juaj tre ditë më parë, apo është një institucion që për ne është suksesi i reformës në drejtësi?”, deklaroi Balla.
Sipas tij, Partia Socialiste e konsideron SPAK-un një nga rezultatet kryesore të reformës në drejtësi, ndërsa Berisha, sipas Ballës, e sulmon këtë institucion kur është vetë objekt hetimi dhe i referohet të njëjtit institucion kur informacionet e tij i përdor politikisht kundër kundërshtarëve.
“Kur prokurori më heton mua, ai është një, dy, tre. Ndërkohë që këtu, me hipokrizinë më të madhe, vini dhe thoni: bazuar në informacionet e dosjeve, të shkojmë dhe ta hetojmë ne”, tha ai.
Balla argumentoi se ky është pikërisht modeli që reforma në drejtësi synoi të ndryshonte, duke iu referuar periudhës para vitit 2016, kur akuzat politike adresoheshin në sallën e Kuvendit dhe jo përmes institucioneve të drejtësisë.
“Duhet t’i japim fund këtij teatri dhe të krijojmë një drejtësi të re, ku të gjitha akuzat hetohen”, u shpreh Balla.
Duke iu referuar hetimeve ndaj ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Balla deklaroi se qëndrimi i socialistëve është që SPAK-u ta hetojë çështjen deri në fund dhe të përcaktojë përgjegjësitë individuale.
“Qëndrimi ynë është që Prokuroria e Posaçme ta hetojë dhe ta zbardhë deri në fund. Ne i shprehim mbështetjen tonë SPAK-ut”, deklaroi ai.
Balla këmbënguli se mocionet me debat, komisionet hetimore apo instrumente të tjera parlamentare nuk duhet të përdoren për të zëvendësuar hetimin penal.
“Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar njëherë e përgjithmonë me reformën në drejtësi”, tha kreu i Grupit Parlamentar të PS-së.
Ai iu drejtua gjithashtu Partisë Demokratike, duke kërkuar ndalimin e sulmeve personale ndaj prokurorëve të SPAK-ut dhe duke theksuar se përgjegjësia penale duhet të përcaktohet vetëm nga institucionet e drejtësisë.
“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, përfshirë edhe ju. Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë që ditën e parë të reformës në drejtësi: pafajësia ose fajësia e një zyrtari është përgjegjësi individuale”, u shpreh Balla.
Në fund, ai theksoi se Kuvendi nuk duhet të dublokojë apo të zëvendësojë kompetencat e prokurorisë dhe gjykatave.
“Ky grup parlamentar do të fuqizojë sistemin e drejtësisë, jo t’ia marrë drejtësisë atë që ia kemi dhënë drejtësisë”, përfundoi Balla.
Fjala e plotë:
Andi Lila është futbollist, nuk është kompozitor.
Edhe ti duhet të shohësh që ai pari, se e ke edhe djalë Kavaje. Ai djalë i shkëlqyer, e keni pasur edhe sekretar në Partinë Demokratike. Ndërkohë që, ndërkohë që si më i vjetri në këtë sallë, duhet të mos ta përdorje fare atë mynxyra ku vajza dhe gra ndihen të fyera dhe besoj që të gjitha gratë e Kuvendit të Shqipërisë duhet të bëjnë një deklaratë ku të solidarizohen me vajzat dhe gratë, ndërkohë që personalisht mendoj që kushdo që është pas publikimit të atyre filmimeve duhet të marrë një dënim të merituar. Ti, Albana, mos bërtit.
Sa i përket çështjes për të cilën jemi kërkuar për t’u thirrur në një mocion me debat si Kuvend i Shqipërisë, informacionet të cilave i referoheni në kërkesë vijnë nga një hetim i Prokurorisë së Posaçme. Dhe më vjen mirë që, kur ua do interesi juaj politik, ju i referoheni informacioneve të Prokurorisë së Posaçme nga hetimet e një dosjeje prej tyre. Por është momenti që të ndani qëndrimin tuaj. Prokuroria e Posaçme është seksion i Partisë Socialiste, tha udhëheqësi juaj tre ditë më parë në derën e Prokurorisë së Posaçme. Apo është një institucion që për ne është suksesi i reformës në drejtësi?
Këtu ndahet qëndrimi ynë. Ne e konsiderojmë Prokurorinë e Posaçme suksesin e reformës në drejtësi. Zotëria e quan seksion të Partisë Socialiste dhe nuk po them fyerjet personale ndaj prokurorëve, përfshirë prokurorë që janë në këtë dosje.
E pra, kur prokurori më heton mua, thotë zotëria, ai është një, dy, tre, se nuk më nxjerr goja t’i them fjalët që thotë. Ndërkohë që këtu, me hipokrizinë më të madhe, vjen dhe thotë: bazuar në informacionet e dosjeve, tani të shkojmë. Dhe më e rëndësishme se kaq është që ju thoni që debati duhet të hetohet dhe të nxjerrë veprimtarinë kriminale.
Qëndrimi ynë është: ne themi që Prokuroria e Posaçme të nxjerrë veprimtarinë kriminale dhe këtu ndahet dy botë. Bota e dikurshme, para vitit 2016, kur votuam reformën në drejtësi, kur politika, për të hetuar njëra-tjetrën, mjaftohej vetëm me debatin që bëhej këtu në Kuvend. Ti je hajdut, ti je klan i Zemunit, i thoje ministrave, ti je kështu, ti je ashtu dhe kaq. Mjaftonte politika.
Ndërkohë që ne thamë: duhet t’i japim fund këtij teatri dhe erdhëm me propozimin për të krijuar një drejtësi të re, ku të gjitha akuzat hetohen. Ju jeni subjekt i një hetimi të një akuze prej meje, është kështu apo jo? Unë nuk e kam bërë kurrë një mocion me debat për këtë çështje, sepse kam besim që Prokuroria e Posaçme i shkon deri në fund çështjes në gjykatë.
Nuk kam diskutuar kurrë në këtë sallë, prej vitit 2020, më për atë çështje, sepse kam besim te SPAK-u. Ju nuk keni besim te SPAK-u dhe ju thoni: duam ta bëjmë vetë. Duhet të kthehemi te karagjozllëku i para 10 viteve, ku mjaftoheshim me debatin që kishim mes njëri-tjetrit.
Dhe ky është dallimi. Dhe prandaj ne nuk duam të rikthehemi më para 10 vjetësh, ku bënim gjyqin njëri-tjetrin, në fund historia mbaronte, asnjëri s’mbante përgjegjësi, asnjëri s’shkonte para drejtësisë.
Hape diskutimin që kemi bërë këtu më 21-22 korrik të vitit 2016. Po i rikthehem atij diskutimi që kam bërë. Do të vijë koha, thashë në 2016, në 10 vjet më parë, ku presidentë, kryeministra, kryetar parlamenti, zëvendëskryeministra dhe gjithë të tjerët do shkojnë para drejtësisë. Sot jo vetëm që i kemi para drejtësisë, po i kemi me akuza dhe kjo është fitorja më e madhe e reformës në drejtësi.
Tani të kthehemi te çështja për të cilën na keni thirrur, lidhur me hetimet mbi ish-drejtoreshën e Shërbimit Informativ. Qëndrimi ynë është që ne presim që organi i akuzës ta hetojë dhe ta zbardhë deri në fund. I shprehim mbështetjen tonë Prokurorisë së Posaçme, të cilën të gjithë ne këtu, edhe me votimin e sotëm, duhet të votojmë pro që ta lëmë të bëjë punën e vet.
Koha kur politika gjykonte vetveten ka përfunduar njëherë e përgjithmonë me reformën në drejtësi, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë mbivendosje, përmes një procesi të pavarur të hetimit, të gjykimit. Ky është qëndrimi ynë jo vetëm për këtë çështje, por për të gjitha çështjet. Sa herë që ju të kërkoni të na ktheni 10 vjet pas me gjyqe politike ndaj njëri-tjetrit, ne do ju themi: jo, keni një çështje, çojani Prokurorit të Posaçëm; keni një çështje, shkoni dhe lini Prokurorinë ta hetojë.
Rruga pa kthim që ne e kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdo qoftë dhe kushdo qoftë, pavarësisht statusit social, funksionit politik. Është fitorja e drejtësisë edhe kjo çështje, sipas edhe jurisprudencës së konsoliduar tashmë të Gjykatës Kushtetuese.
Pas shumë kërkesash prej jush për komisionet hetimore, për keni çuar për interpelancat, Kuvendi nuk mund të përdorë institucionin e vet, më të ndër më të rëndësishëm të kontrollit parlamentar, për të dubluar ose për të zëvendësuar kompetencat e Prokurorisë.
Si tha: ta bëjmë ne, tha këtu, tha ta zbardhim, tha ne të gjithë përgjegjësinë, tha. Po këta për çfarë i kemi? Po, pikërisht i kemi për të verifikuar prova, për të përcaktuar fakte penale, për të identifikuar përgjegjësi individuale dhe për të ngritur akuza penale. Jo, tha, nuk ka nevojë, tha. Tha, ashtu do e bëjmë ne. Në fund, tha, të nxjerrim ne përgjegjësitë.
Kush jemi ne? Ne jemi ne jemi shënjestra.
Të lutem, falë kësaj shumice qeverisëse, me kurajo, me vendosmëri, i është hapur pikërisht rruga drejtësisë së pavarur, një vend ku pak vite më parë kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme, për dhjetëra vite që nga 1912, nëse e doni. Dhe prandaj as mund të jenë këto zhvillime për të drejtësisë palë për Shqipërinë, e cila në fakt, në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, ka shumëçka që nuk mund të imagjinohej dhe nuk mund të imagjinohet edhe sot që flasim në vendet e tjera përreth dhe koha do ta çmojë më shumë se kushdo.
Jo më larg se javën e kaluar, Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, për këtë çështje, për këtë çështje, tha: ne, kur shohim çështje të tilla, të cilat po hetohen, zyrtarë të këtij niveli që po hetohen, ato janë prova se sistemi i drejtësisë në Shqipëri po funksionon.
Ky është fuqizimi i sistemit dhe prandaj ky grup parlamentar do të fuqizojë sistemin e drejtësisë, jo t’ia marrë drejtësisë atë që ia kemi dhënë drejtësisë, edhe të bëjmë atë diskutimin e përhershëm që e bënim para shumë vitesh, kur ishte koha kur prokurorët, për të thirrur një politikan para dyerve të drejtësisë, i luteshin politikanit në telefon: të lutem, mund të vish pak nesër të të marr një deklaratë? Edhe këtu mbyllet gjithë hetimi.
Ndërkohë që sot unë e kam provuar vetë. Për të njëjtat akuza i çova nga viti 2012 dosjen në Prokurori, e mbyllën. Erdhi Prokuroria e Posaçme, i hapi, i hetoi, i ka çuar në gjykatë. Nuk bëj asnjë koment. Gjykata të japë vendimin si të dojë.
Asnjë instrument kontrolli parlamentar, nga mocioni me debat deri te komisioni hetimor parlamentar, nuk mund ta zëvendësojë, të ndikojë, të kushtëzojë apo të pengojë hetimin e plotë dhe të pavarur nga prokurorët e SPAK-ut.
Dhe këtu dua ta ripërsëris qëndrimin tonë. Jua kam thënë dhe në Konferencë Kryetarësh, jua kam thënë dhe herë të tjera në këtë foltore: ju, Partia Demokratike, duhet të hiqni dorë nga çdo sulm personal ndaj prokurorëve të SPAK-ut, të cilët meritojnë respekt për punën e tyre. Dhe besoj që rituali i turpit, çdo të hëna të dytë të muajit, nga një i pandehur para dyerve të SPAK-ut, duhet të ndalet.
Forca politike brenda së cilës militon ky person duhet të bëjë debatin e parë brenda vetes, pastaj të vijë ta sjellë debatin për këtë çështje në Kuvend.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, përfshirë dhe ju. Jeni i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar.
Qëndrimi ynë mbetet ai që kemi thënë që qysh ditën e parë të reformës në drejtësi: pafajësia ose fajësia e një zyrtari, dhe këtu pastaj i kthehem dhe atyre të propozuar prej nesh, është përgjegjësi individuale. Dhe qëndrimi i Partisë Socialiste edhe për këtë çështje është: secili të marrë avokatin. Bëni dhe ju si ne, mos e vini partinë avokat. Pra, merrni avokatin individual, do thoja.
Dhe disa çështje sa i përket pjesës së kontrollit të SHISH-it, ka instrumente kontrolli. Koha? Po, patjetër. Koha mbaroi. Besoj që dhe ju e kuptuat që personi të marrë avokatin.
Faleminderit.


