Axhenda 2030 e Aleancës/ Rama merr pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel


Kryeministri Edi Rama po merr pjesë në punimet e Samitit të NATO-s në Bruksel, ku do të miratohet Axhenda 2030 e Aleancës.
Sipas protokollit zyrtar të këtij samiti u kryen fotografitë e rastit. Kryeministri Edi Rama pas fotos me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, ishte pjesë e fotos familjare të liderëve të vendeve anëtare, e cila u bë në respektim të masave antikovid.
Para fillimit të punimeve të samitit, liderët e vendeve anëtare u njohën me objektivat kryesorë të Axhendës 2030, përmes një videoprojeksioni dixhital.
Më herët, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi se Ballkani Perëndimor është me rëndësi të madhe për Aleancën.
Shqipëria u anëtarësua në Organizatën e Traktatit të Atlantikut të Veriut (NATO) në vitin 2009, pas përfundimit të ratifikimit të Protokollit të Anëtarësimit nga të gjitha vendet aleate dhe depozitimit të instrumentit të aderimit në NATO në Departamentin e Shtetit që është edhe mbajtësi ligjor i Traktatit të Uashingtonit.
Eunews.al
