Seanca plenare e parashikuar për këtë të enjte në Kuvendin e Shqipërisë është anuluar, pas dy ditësh protestash të shoqëruara me tensione dhe sulme ndaj institucioneve në kryeqytet.
Vendimi vjen në një kohë kur protestat pritet të vijojnë edhe gjatë ditës së sotme, ndërsa situata në Tiranë mbetet e tensionuar.
Deputetët e Partisë Socialiste janë larguar nga godina e Parlamentit, pa dhënë shpjegime për gazetarët lidhur me anulimin e seancës apo zhvillimet e fundit.
Gjatë protestës së një dite më parë, disa institucione shtetërore u vunë në shënjestër të sulmeve nga protestuesit.
Mes institucioneve të prekura ishin Kryeministria, Kryesia e Kuvendit, Gjykata Kushtetuese, Ministria e Arsimit, Ministria e Ekonomisë, Ministria e Drejtësisë dhe Banka e Shqipërisë.
Anulimi i seancës plenare vjen në mes të përshkallëzimit të protestave, ndërsa ende nuk është bërë i ditur një orar i ri për zhvillimin e saj.


