Alarm për energjinë në BE/ Brukseli u kërkon vendeve të ulin konsumin e gazit dhe energjisë elektrike

26 Sep 2026 • 12:43
Shpërndaje:

Bashkimi Europian po përballet me një krizë të çmimeve të energjisë, ndërsa lufta në Iran vazhdon të tronditë tregjet ndërkombëtare të naftës dhe gazit.

Komisioneri Europian për Energjinë, Dan Jørgensen, u ka kërkuar vendeve anëtare të përshpejtojnë përgatitjet për dimrin dhe të shqyrtojnë masa për reduktimin e kërkesës për gaz dhe energji elektrike.

“Po përballemi me një krizë çmimesh të lidhur me një krizë furnizimi”, paralajmëroi Jørgensen në një letër drejtuar ministrave të Energjisë të vendeve të BE-së.

Reklamë Ola

Sipas komisionerit, Europa ndodhet sot në një pozicion më të mirë sesa gjatë krizës energjetike të viteve 2021-2022, kur Rusia reduktoi ndjeshëm furnizimet me gaz drejt kontinentit. Megjithatë, tensionet në tregjet globale dhe pasiguria e shkaktuar nga lufta në Iran po shtojnë presionin mbi çmimet.

Për këtë arsye, Jørgensen u bëri thirrje qeverive europiane të sigurojnë rezerva të mjaftueshme dhe të jenë të përgatitura për të frenuar konsumin nëse situata e kërkon.

Reklamë InterMedika

“Ju bëj thirrje të merrni në konsideratë marrjen ose vazhdimin e masave që do të sigurojnë rezerva të mjaftueshme dhe/ose do të ulin kërkesën për gaz dhe energji elektrike për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, shkroi ai.

Paralajmërimi vjen në një moment kur çmimet e gazit në Europë janë rritur ndjeshëm, të ndikuara nga pasiguria gjeopolitike dhe problemet me furnizimet globale.

Megjithatë, Komisioni Europian thekson se aktualisht nuk ka një rrezik të menjëhershëm për furnizimin me gaz të vendeve të BE-së. Grupi i Koordinimit të Gazit konfirmoi më 25 shtator se, pavarësisht niveleve më të ulëta të rezervave krahasuar me vitet e mëparshme, furnizimi europian mbetet i qëndrueshëm.

Brukseli kërkon që vendet anëtare të mos presin një përkeqësim të situatës për të vepruar, por të marrin masa paraprake përpara sezonit të dimrit, kur kërkesa për energji rritet ndjeshëm.

Situata në Lindjen e Mesme dhe ndikimi i saj në tregjet e naftës dhe gazit pritet të mbeten ndër shqetësimet kryesore të BE-së në muajt e ardhshëm.