Alarm nga drejtuesit e AI në OKB, Altman: Rrezikojmë të humbasim kontrollin, duhet kujdes ekstrem

24 Sep 2026 • 09:11
Shpërndaje:

Drejtuesit e disa prej kompanive më të mëdha të inteligjencës artificiale kanë paralajmëruar në Këshillin e Sigurimit të OKB-së për rreziqet që mund të sjellë zhvillimi gjithnjë e më i shpejtë dhe autonom i teknologjisë.

CEO i OpenAI, Sam Altman, dhe drejtuesi i Anthropic, Dario Amodei, kërkuan më shumë bashkëpunim mes qeverive për të garantuar që sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale të mbeten nën kontrollin e njerëzve.

“Ky moment kërkon kujdes ekstrem”, deklaroi Altman gjatë seancës së posaçme në Nju Jork. Ai paralajmëroi se, ndërsa sistemet e AI bëhen më të afta dhe autonome, përparimi i tyre mund të ecë më shpejt sesa aftësia e institucioneve për t’i kontrolluar.

Reklamë Ola

Altman argumentoi se bota duhet të shmangë si optimizmin e pakufizuar, ashtu edhe skenarët që e shohin inteligjencën artificiale vetëm si një kërcënim katastrofik.

Sipas tij, vendimet më të rëndësishme për të ardhmen e teknologjisë nuk mund të mbeten vetëm në duart e kompanive që po e zhvillojnë atë.

Reklamë InterMedika

“Nëse AI do të jetë demokratike, vendimet më të rëndësishme nuk mund të merren vetëm nga laboratorët në San Francisko”, tha Altman, duke kërkuar që ato të formësohen përmes proceseve demokratike dhe qeverive që japin llogari para qytetarëve.

Edhe CEO i Anthropic, Dario Amodei, dha një paralajmërim të fortë. Duke folur përmes videokonferencës, ai deklaroi se kompania e tij është e gatshme të ngadalësojë zhvillimin dhe publikimin e modeleve të reja nëse kjo është e nevojshme për sigurinë.

“Do të ngadalësojmë aq sa të jetë e nevojshme për t’u siguruar që çdo teknologji e re e AI që publikojmë të jetë vërtet e sigurt”, tha Amodei.

Ai paralajmëroi se inteligjenca artificiale, nëse menaxhohet keq, mund të përbëjë “rrezik për njerëzimin në tërësi”. Amodei bëri thirrje për standarde të përbashkëta ndërkombëtare për testimin e modeleve, sisteme verifikimi dhe masa për të parandaluar përdorimin e AI në krijimin e armëve biologjike.

Në diskutim mori pjesë edhe Clément Delangue, drejtuesi i Hugging Face, i cili kërkoi standarde më të forta ndërkombëtare për monitorimin dhe raportimin e incidenteve të sigurisë që lidhen me inteligjencën artificiale.

Debati në Këshillin e Sigurimit vjen në një moment kur kompanitë teknologjike dhe qeveritë po përballen me pyetjen se si mund të kontrollohet një teknologji që po zhvillohet më shpejt se mekanizmat ndërkombëtarë të mbikëqyrjes.

Mesazhi kryesor i drejtuesve të industrisë ishte se zhvillimi i AI nuk duhet të ndalet, por duhet të shoqërohet me masa sigurie dhe bashkëpunim ndërkombëtar, për të shmangur situata në të cilat sistemet e avancuara mund të dalin përtej kontrollit njerëzor.