Seanca plenare e kësaj të enjteje është shoqëruar me tensione dhe përplasje mes mazhorancës dhe opozitës, ndërsa në qendër të debatit ishte çështja e ish-drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni.
Pas fjalës së kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, vijoi me procedurën parlamentare dhe kaloi në votimin e procesverbalit të punimeve.
Procesverbali u miratua me 73 vota pro, ndërsa deputetët e opozitës nisën të godisnin tavolinat me duar në shenjë proteste.
Tensionet vijnë pasi Grupi Parlamentar i PD-së kishte kërkuar ndryshimin e rendit të ditës dhe zhvillimin e një debati parlamentar me kryeministrin Edi Rama për situatën në SHISH dhe zhvillimet që lidhen me Hysenin.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Berisha ngriti një sërë akuzash lidhur me çështjen Hyseni dhe marrëdhëniet e saj me biznesmenin Ergys Agasi. Këto mbeten pretendime të kreut të PD-së dhe janë pjesë e debatit politik që ka shoqëruar hetimin.


