Akuzat ndaj Vlora Hysenit, Gogu: Qeveria mori përgjegjësinë politike, ajo penale është individuale

24 Sep 2026 • 11:30
Shpërndaje:

Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka komentuar këtë të enjte zhvillimet që lidhen me ish-drejtuesen e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, e cila është nën hetim nga SPAK.

Duke folur për mediat para nisjes së seancës plenare në Kuvend, Gogu deklaroi se qeveria ka marrë përgjegjësinë politike duke e shkarkuar Hysenin nga detyra dhe duke garantuar vijimësinë e drejtimit të SHISH.

“Përgjegjësia politike është marrë. Në krye të SHISH ka një drejtues të ri derisa të ketë një drejtues përfundimtar. Përgjegjësia penale është individuale”, u shpreh ministri.

Reklamë Ola

Sipas Gogut, për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur duhet të pritet përfundimi i procesit penal, ndërsa ish-drejtueses së SHISH duhet t’i garantohet e drejta për t’u mbrojtur.

“Qeveria e shkarkoi drejtuesen për shkak të akuzës penale në të cilën gjendet dhe siguroi vazhdimësinë e punës në institucion. Në lidhje me atë që ka ndodhur, duhet të presim procesin penal. Nga ana tjetër, individi duhet të ketë të drejtën të mbrohet”, tha Gogu.

Reklamë InterMedika

Vlora Hyseni është nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”. Sipas njoftimit të GJKKO-së, ajo është person nën hetim në procedimin penal nr. 20/1 të vitit 2025 dhe dyshohet për vepra penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Për të këtë të enjte është caktuar edhe seanca për marrjen e saj në pyetje.