Shqipëria ka marrë certifikatën që konfirmon përmbushjen e objektivave europiane për kontrollin e hepatitit B nëpërmjet imunizimit.
Dokumenti i Grupit Evropian të Ekspertëve Teknikë Këshillimorë për Imunizimin (ETAGE), i mbledhur nga OBSH/Europa, iu dorëzua ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu.
Certifikata u dorëzua nga drejtuesi i ri i Zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Shqipëri, dr. Fabio Scano, gjatë takimit të parë zyrtar mes tyre në Tiranë.
Përveç këtij vlerësimi, në takim u diskutua për forcimin e sistemit shëndetësor, përmirësimin e kujdesit parësor, parandalimin e sëmundjeve, shëndetin mendor, reformën spitalore dhe mbështetjen e personelit shëndetësor.
Një nga temat kryesore ishte nisja e një projekti të përbashkët mes OBSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për shëndetin publik në Ballkanin Perëndimor.
Sipas ministres Spahiu, nisma është diskutuar edhe në nivelet më të larta të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Zyrës Rajonale të OBSH-së për Europën. Projekti synon të forcojë rolin e Shqipërisë në rajon në fushën e shëndetit publik.
Në fokus të bisedimeve ishte edhe procesi i integrimit europian në sektorin e shëndetësisë. OBSH-ja pritet të ofrojë mbështetje teknike për përafrimin e politikave, legjislacionit dhe kuadrit rregullator shqiptar me standardet e Bashkimit Europian.
Në përfundim të takimit, Spahiu i uroi dr. Fabio Scano suksese në detyrën e re dhe shprehu gatishmërinë për vijimin dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Shëndetësisë dhe OBSH-së.


