Arrest shtëpie për Vlora Hysenin, Rama: Shkarkimi i saj nga drejtimi i SHISH-it është i menjëhershëm

22 Sep 2026 15:54
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas vendosjes së masës së arrestit në shtëpi ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, duke njoftuar largimin e saj të menjëhershëm nga detyra.

Në një postim në platformën “X”, Rama bëri të ditur se pas kthimit të tij në Tiranë do të nisë konsultimet me Presidentin e Republikës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH-it.

Kryeministri, i cili ndodhet në Nju Jork për punimet e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se ishte informuar për masën e sigurisë dhe kërkoi që çdo dyshim të hetohet dhe të zbardhet plotësisht nëpërmjet një procesi të pavarur gjyqësor.

Reklamë Ola

“Për shkak të orareve të ndryshme, ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë”, shkroi Rama.

Ai shprehu respekt për punën e Hysenit dhe për vlerësimet që, sipas tij, ajo ka marrë nga agjencitë partnere gjatë drejtimit të shërbimit inteligjent shqiptar. Megjithatë, Rama theksoi se pavarësia e institucioneve të drejtësisë dhe barazia para ligjit janë të panegociueshme.

Reklamë InterMedika

“Rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdo qoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik”, deklaroi ai.

Kryeministri kritikoi gjithashtu mënyrën se si hetimet ndaj zyrtarëve publikë kthehen në objekt përplasjesh politike dhe mediatike përpara se gjykata të marrë një vendim përfundimtar.

Sipas tij, veprimet e drejtësisë nuk mund të paraqiten si akuza ndaj shumicës qeverisëse ose si zhvillime që dëmtojnë imazhin e Shqipërisë. Rama tha se reforma në drejtësi i ka hapur rrugën hetimit dhe gjykimit të çdo personi, pavarësisht funksionit që mban.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast dhe për asnjë arsye”, shkroi kryeministri.

Ai shtoi se përgjegjësia penale është individuale dhe se qeveria nuk do të ndërhyjë në çështjen e hapur ndaj drejtoreshës së SHISH-it dhe as nuk do të marrë përsipër mbrojtjen e saj.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm. Sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, përfundoi Rama.