Vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë përçarë lidhur me kërkesën për heqjen e sanksioneve ndaj miliarderit ruso-uzbek Alisher Usmanov, i përfshirë në listën e individëve dhe subjekteve të akuzuara se mbështesin luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ambasadorët e 27 vendeve anëtare u mblodhën të hënën në Bruksel për të diskutuar rinovimin e regjimit të sanksioneve, i cili kërkon miratimin unanim të shteteve çdo gjashtë muaj.
Përplasja nisi pasi Franca iu bashkua Sllovakisë në kërkesën për largimin e Usmanovit nga lista, duke përmendur shqetësime të pazbuluara të sigurisë kombëtare. Vendimi i Parisit shkaktoi kundërshtime të forta nga disa shtete anëtare.
Sipas një diplomati evropian, kundërshtimi i shprehur nga një prej ambasadorëve ndaj heqjes së sanksioneve për Usmanovin mori mbështetjen e 11 vendeve të BE-së.
Rreth 3 mijë masa individuale, përfshirë ato ndaj Usmanovit, rrezikojnë të skadojnë në mesnatën e së martës, pasi Franca nuk ka dhënë ende miratimin për rinovimin e tyre. Bisedimet mbeten të vështira, pavarësisht se Parisi ka premtuar vendosjen e garancive për të shmangur dobësimin e regjimit më të gjerë të sanksioneve.
Si pjesë e një kompromisi, disa vende po shqyrtojnë zgjatjen e sanksioneve për një periudhë deri në 36 muaj, në këmbim të pranimit të disa kërkesave për heqjen e emrave nga lista.
Nëse Usmanovit i hiqen kufizimet, ai do të mund të lëvizë fonde drejt dhe nga Bashkimi Evropian, të zhvillojë përsëri marrëdhënie biznesi me kompani evropiane dhe potencialisht të udhëtojë në territorin e bllokut.
Perandoria e tij e biznesit shtrihet në sektorët e minierave, telekomunikacionit dhe medias. Usmanov u përfshi në listën evropiane të sanksioneve në vitin 2022, nën pretendimet se kishte ofruar mbështetje materiale për luftën e Rusisë në Ukrainë.
Ai i mohon akuzat dhe kundërshton cilësimin e tij si oligark, ndërsa prej vitesh po zhvillon një fushatë ligjore dhe diplomatike për t’u larguar nga lista e sanksioneve.
Franca nuk e ka shpjeguar publikisht arsyen e kërkesës së saj. Diplomatët janë informuar vetëm se çështja lidhet me një problem specifik të sigurisë kombëtare dhe se Parisi dëshiron t’u përgjigjet pozitivisht disa partnerëve ndërkombëtarë që kanë ndërhyrë në favor të Usmanovit.
Sipas një raportimi të “Financial Times”, heqja e sanksioneve mund të jetë pjesë e një marrëveshjeje që do të çonte në lirimin nga Azerbajxhani të disa shtetasve francezë të ndaluar.
Edhe Luksemburgu vazhdon të kërkojë heqjen nga lista të biznesmenit Mikhail Fridman, me origjinë ukrainase dhe shtetësi ruse e izraelite. Fridman ka paditur shtetin e Luksemburgut për lirimin e pasurive të tij të ngrira.
Disa vende kanë paralajmëruar se largimi i një biznesmeni kaq të njohur nga lista mund të krijojë një precedent të rrezikshëm dhe të minojë besueshmërinë e sanksioneve të vendosura ndaj Rusisë pas pushtimit të Ukrainës.


