Trump paditet nga tri media pas ndalimit të gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë

21 Sep 2026 15:13
Shpërndaje:

POLITICO, CNN dhe MS NOW kanë ngritur një padi federale kundër presidentit amerikan Donald Trump dhe tre zyrtarëve të lartë, pasi gazetarëve të këtyre mediave iu hoqën kredencialet dhe iu ndalua hyrja në Shtëpinë e Bardhë.

Tri organizatat e lajmeve e cilësuan vendimin si një “sulm të drejtpërdrejtë ndaj Amendamentit të Parë” të Kushtetutës amerikane, i cili garanton lirinë e shprehjes dhe të shtypit.

Gazetarëve iu mohua hyrja në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë të shtunën, ndërsa Shërbimi Sekret u konfiskoi kredencialet. Përmes padisë së paraqitur në Gjykatën Federale në Uashington, mediat kërkojnë rikthimin e menjëhershëm të aksesit.

Reklamë Ola

“Këtë mëngjes njoftuam qeverinë se po paraqesim një padi për të mbrojtur të drejtat tona sipas Amendamentit të Parë dhe parimin se qeveria nuk vendos se çfarë raporton apo publikon shtypi”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Sipas mediave, Shtëpia e Bardhë ua hoqi kredencialet gazetarëve pa paralajmërim dhe pa ndjekur një proces të rregullt, për shkak të pakënaqësisë me raportimet e tyre.

Reklamë InterMedika

“Nëse ky veprim nuk kundërshtohet, ai kërcënon lirinë e shtypit dhe të drejtën e publikut për një gazetari të pavarur nga ndërhyrja e qeverisë”, theksuan POLITICO, CNN dhe MS NOW.

Padia është ngritur kundër presidentit Trump, shefes së stafit Susie Wiles, drejtorit të komunikimit të Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, dhe drejtorit të Shërbimit Sekret, Sean Curran.

Mediat argumentojnë se vendimi shkel Kushtetutën në disa drejtime. Heqja e kredencialeve pa njoftim dhe pa një proces të rregullt, sipas tyre, cenon të drejtat e garantuara nga Amendamenti i Pestë, ndërsa ndëshkimi për përmbajtjen e raportimeve shkel Amendamentin e Parë.

Në padi pretendohet se ndalimi po pengon seriozisht aftësinë e tri organizatave për të raportuar mbi administratën Trump. Njëkohësisht, sipas tyre, vendimi mund të frikësojë mediat e tjera, të cilat mund të druhen se do të përjashtohen nëse publikojnë raportime që presidenti i konsideron të pafavorshme.

Trump reagoi përmes një postimi në rrjetin Truth Social, duke mohuar se vendimi përbën sulm ndaj lirisë së shtypit.

“Shtëpia e Bardhë nuk po ndërmerr një sulm ndaj shtypit të lirë, të cilin unë e çmoj. Po ndërmerr një sulm ndaj lajmeve të rreme, të cilat janë përhapur si kancer në Shtetet e Bashkuara”, shkroi presidenti.

Ai i akuzoi tri mediat për publikimin e qëllimshëm të lajmeve negative, duke deklaruar se vendimi ishte rezultat i raportimeve të grumbulluara gjatë disa viteve.

Edhe gjatë mandatit të tij të parë, Trump u përfshi në përplasje gjyqësore me mediat për aksesin në Shtëpinë e Bardhë. Në vitin 2018, një gjykatë urdhëroi rikthimin e kredencialeve të gazetarit të CNN, Jim Acosta, pasi administrata ia kishte pezulluar ato pas një debati me presidentin.

Një rast i ngjashëm ndodhi një vit më vonë me gazetarin Brian Karem, të cilit iu rikthye leja e hyrjes pasi gjykata arriti në përfundimin se rregullat e sjelljes në aktivitetet presidenciale nuk ishin mjaftueshëm të qarta.

Një tjetër konflikt ligjor nisi pasi Trump përjashtoi Associated Press nga disa aktivitete, sepse agjencia nuk pranoi të përdorte emërtimin “Gjiri i Amerikës” për Gjirin e Meksikës. Çështja vazhdon të shqyrtohet nga gjykatat.

Ligji amerikan i lejon Shtëpisë së Bardhë të vendosë kufizime për aksesin e gazetarëve në zona të caktuara. Megjithatë, precedentët gjyqësorë përcaktojnë se gazetarët nuk mund të përjashtohen në mënyrë arbitrare ose thjesht për shkak të përmbajtjes dhe këndvështrimit të raportimeve të tyre.