Zelensky dhe Trump bien dakord për takim në Nju Jork: Mund të ndryshojë shumë gjëra

20 Sep 2026 22:16
Shpërndaje:

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky dhe homologu i tij amerikan, Donald Trump, kanë rënë dakord të zhvillojnë një takim në Nju Jork, në kuadër të përpjekjeve diplomatike për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Marrëveshja u arrit gjatë një bisede telefonike mes dy udhëheqësve, të cilën Zelensky e cilësoi të rëndësishme dhe të përqendruar në disa çështje kyçe.

“Sapo fola me Presidentin Trump. Ishte një bisedë e rëndësishme dhe trajtuam shumë tema”, shkroi presidenti ukrainas në rrjetet sociale.

Reklamë Ola

Zelensky nuk bëri të ditur datën dhe vendin e saktë të takimit, por deklaroi se bisedimet në Nju Jork mund të ndikojnë ndjeshëm në zhvillimet e ardhshme. Ai theksoi se rreth përpjekjeve për arritjen e paqes është krijuar një “momentum diplomatik”, i cili duhet shfrytëzuar.

Sipas presidentit ukrainas, përfundimi i luftës dhe garantimi i një paqeje të qëndrueshme mbeten objektivi kryesor i Kievit. Ai shprehu gatishmërinë për të ndërmarrë hapa të rëndësishëm në drejtim të uljes së tensioneve dhe adresimit të çështjeve që lidhen me sigurinë, energjinë dhe mbrojtjen e jetës së qytetarëve.

Reklamë InterMedika

Zelensky falënderoi gjithashtu Trumpin për vizitën e fundit në Kiev të të dërguarve amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner. Sipas tij, gjatë takimeve me delegacionin amerikan u diskutuan në hollësi aspektet kryesore të situatës dhe përfaqësuesit e Uashingtonit patën mundësi të shihnin nga afër kushtet në Ukrainë.

Kreu i shtetit ukrainas falënderoi presidentin amerikan edhe për nënshkrimin e projektligjit të promovuar nga senatori republikan Lindsey Graham, i cili parashikon vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë.

“Ne të gjithë jemi dakord se duhet të ketë paqe”, përfundoi Zelensky, duke shprehur mirënjohje për vendet dhe udhëheqësit që vazhdojnë ta mbështesin Ukrainën.

Takimi në Nju Jork pritet të zhvillohet gjatë punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Diskutimet mes Trumpit dhe Zelenskyt vijnë në një periudhë të intensifikimit të përpjekjeve diplomatike, por edhe të vazhdimit të sulmeve mes Ukrainës dhe Rusisë.