Kryeministri Edi Rama ka vijuar në Qarkun e Korçës turin e dëgjesave për reformën e re administrativo-territoriale, duke diskutuar me banorë dhe drejtuesit e bashkive të zonës mbi propozimet për riorganizimin e pushtetit vendor.
Një nga çështjet kryesore të ngritura gjatë takimit ishte propozimi për bashkimin e Bashkisë së Maliqit me atë të Korçës.
Sipas burimeve nga takimi, përfaqësuesit e komunitetit të Maliqit kundërshtuan propozimin dhe kërkuan që njësia e tyre vendore të vijojë të funksionojë si bashki më vete.
Banorët shprehën shqetësimin se bashkimi me Korçën mund të ndikojë në administrimin vendor dhe në aksesin e qytetarëve te shërbimet publike.
Duke iu përgjigjur shqetësimeve të ngritura, Rama mësohet të ketë deklaruar se riorganizimi territorial nuk do të sjellë ndryshime për punonjësit dhe shërbimet që aktualisht ofrohen nga Bashkia e Maliqit.
Kryeministri argumentoi se bashkimi i propozuar mund t’i krijojë Maliqit mundësi për të përfituar shërbime të tjera, të cilat bashkia aktualisht nuk arrin t’i ofrojë për shkak të kapaciteteve të kufizuara administrative dhe financiare.
Dëgjesa në Korçë zhvillohet në kuadër të konsultimeve për reformën e re territoriale, përmes së cilës po shqyrtohet riorganizimi i disa njësive të pushtetit vendor.
Propozimet për ndryshimin e hartës aktuale administrative janë ende në fazën e diskutimit, ndërsa qëndrimet e komuniteteve dhe drejtuesve vendorë pritet të merren në konsideratë përpara hartimit të variantit përfundimtar të reformës.


