Rreth 11 mijë fëmijë me aftësi të kufizuara do të përfitojnë nga një program i ri i specializuar i kujdesit dentar, i cili do të nisë fillimisht si projekt pilot në Elbasan dhe më pas do të shtrihet në 12 spitalet rajonale të vendit.
Nisma u bë e ditur nga ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Klodiana Spahiu, gjatë një vizite në shkollën 9-vjeçare “Jorgji Dilo” në Elbasan.
Sipas ministres, programi synon të sigurojë shërbime dentare të përshtatura për nevojat specifike të fëmijëve me aftësi të kufizuara, duke përfshirë jo vetëm kontrollin dhe diagnostikimin, por edhe trajtimin e rasteve të evidentuara.
Për zbatimin e programit është finalizuar marrëveshja me Klinikën Stomatologjike Universitare. Shërbimi pritet të nisë brenda këtij viti dhe do të ofrohet nga ekipe të specializuara, të përbëra nga mjekë stomatologë dhe anestezistë-reanimatorë që punojnë në spitalet rajonale.
Pjesë e rëndësishme e nismës do të jetë edhe trajnimi i profesionistëve shëndetësorë, në mënyrë që kujdesi dentar dhe procedurat e trajtimit të përshtaten me nevojat e secilit fëmijë.
Program kombëtar për depistimin e skoliozës
Gjatë vizitës në Elbasan, ministrja Spahiu foli gjithashtu për Programin Kombëtar të Depistimit të Skoliozës te Fëmijët.
Në kuadër të këtij programi do të hartohet një protokoll i unifikuar kombëtar, i cili do të përcaktojë të gjithë procesin e kujdesit, duke nisur nga kontrolli fillestar dhe referimi, deri te diagnostikimi dhe trajtimi i rasteve të identifikuara.
Programet janë pjesë e masave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për forcimin e kujdesit shëndetësor ndaj fëmijëve, me vëmendje të veçantë te parandalimi, diagnostikimi i hershëm dhe mbështetja e fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre.


