Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka njoftuar se më 27 shtator do të japë dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit, për t’u përfshirë në fushatën për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 25 tetorit.
Gjatë një interviste për televizionin “Pink”, Vuçiç tha se mbrëmjen e dorëheqjes do t’u drejtohet qytetarëve dhe do t’i falënderojë për mbështetjen e dhënë gjatë drejtimit të vendit.
“Dua t’ju njoftoj se më 27 shtator do të jap dorëheqjen nga posti i Presidentit. Atë mbrëmje do t’u drejtohem qytetarëve dhe do t’i falënderoj për mbështetjen”, deklaroi ai.
Vuçiç theksoi se ka qenë kreu i shtetit me qëndrimin më të gjatë në detyrë që nga vendosja e sistemit shumëpartiak në Serbi.
“E vetmja gjë që mund të them është se i kam shërbyer me besnikëri Serbisë dhe qytetarëve të saj, me përkushtim dhe duke luftuar”, shtoi presidenti serb.
Pas largimit nga detyra, Vuçiç do të udhëheqë fushatën e Partisë Përparimtare Serbe (SNS), e cila e ka propozuar si kandidat për kryeministër nëse fiton zgjedhjet parlamentare.
“Më pas do të shkoj në fushatën zgjedhore të 25 tetorit si një qytetar i zakonshëm”, deklaroi ai.
Vuçiç tha se planifikon të udhëtojë në të gjithë Serbinë, përfshirë zonat rurale dhe fshatrat më të largëta, për të zhvilluar takime të drejtpërdrejta me qytetarët.
“Kam marrë një automjet dhe një kamper, pasi nuk do të mund të fle kudo. Do të shkoj në fshatrat më të largëta dhe do të qëndroj deri vonë. Dua të vizitoj edhe qytetet dhe të flas me njerëzit”, u shpreh ai.
Serbia do të zhvillojë zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare më 25 tetor. Vuçiç shpërndau Kuvendin më 9 shtator dhe firmosi dekretin për mbajtjen e zgjedhjeve më shumë se një vit përpara afatit të zakonshëm.
Mandati i tij i dytë dhe i fundit presidencial do të përfundonte në vitin 2027. Kalimi i planifikuar drejt postit të kryeministrit do t’i jepte mundësinë të qëndronte në krye të pushtetit ekzekutiv, nëse SNS-ja siguron votat për formimin e qeverisë.
Zgjedhjet zhvillohen pas afro dy vitesh protestash kundër qeverisë, të nxitura nga shembja e strehës së stacionit hekurudhor në Novi Sad në nëntor 2024, ku humbën jetën 16 persona. Protestuesit kërkojnë përgjegjësi institucionale dhe luftë më të fortë kundër korrupsionit.
Përballë SNS-së do të garojë edhe lista e krijuar nga lëvizja studentore, krahas partive dhe koalicioneve të tjera opozitare. Zgjedhjet e tetorit konsiderohen një nga sfidat më të rëndësishme për Vuçiçin, i cili ka dominuar politikën serbe si kryeministër ose president prej më shumë se një dekade.


