Kanadaja do të blejë raketa interceptuese PAC-3 për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot dhe do t’i sigurojë Ukrainës raketa AIM-9 dhe AIM-120, bëri të ditur presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky.
Sipas tij, Otava do të kontribuojë edhe në blerjen e pajisjeve të nevojshme nga vende të tjera, në kuadër të përpjekjeve për forcimin e mbrojtjes së hapësirës ajrore ukrainase.
“Kryeministri i Kanadasë njoftoi blerjen e raketave PAC-3 për sistemet Patriot, pra raketa kundër raketave balistike, me një vlerë prej 350 milionë dollarësh kanadezë, ose rreth 270 milionë dollarë amerikanë”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas tha se gjatë bisedimeve me kryeministrin kanadez Mark Carney u diskutua gjithashtu sigurimi i raketave AIM-9 dhe AIM-120.
Këto raketa përdoren nga Ukraina në sistemet e saj të mbrojtjes ajrore, përfshirë NASAMS, për mbrojtjen e qyteteve dhe objekteve strategjike nga sulmet ajrore ruse.
Sipas Zelensky-t, forcimi i mbrojtjes ajrore mbetet një nga përparësitë kryesore të Kievit, veçanërisht për garantimin e sigurisë së infrastrukturës energjetike. Deklaratat e tij u raportuan nga agjencia ukrainase “Ukrinform”.


