Ballkani Perëndimor rikthehet në Kongresin amerikan, në fokus politika e administratës Trump

14 Sep 2026 13:04
Shpërndaje:

Kongresi i Shteteve të Bashkuara do t’u rikthehet të martën diskutimeve për Ballkanin Perëndimor, përmes një seance të posaçme dëgjimore mbi politikën e administratës së Presidentit Donald Trump ndaj rajonit dhe sfidat e sigurisë.

Në seancë do të dëshmojë Daniel J. Lawton, zëvendësndihmëssekretar për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike në Departamentin amerikan të Shtetit.

Diskutimet do të zhvillohen në Nënkomitetin për Europën të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili drejtohet nga kongresmeni republikan i Teksasit, Keith Self.

Reklamë Ola

Seanca zhvillohet në një periudhë kur Ballkani Perëndimor vijon të jetë në vëmendjen e Kongresit për shkak të stabilitetit rajonal, integrimit euroatlantik, dialogut Kosovë–Serbi dhe ndikimit në rritje të Rusisë dhe Kinës.

Gjatë administratës së Joe Bidenit, një nga figurat kryesore të angazhimit diplomatik amerikan në rajon ishte Gabriel Escobar, i cili shërbeu si zëvendësndihmëssekretar i Shtetit dhe i dërguar i posaçëm për Ballkanin Perëndimor.

Reklamë InterMedika

Qasja e administratës Trump sinjalizon një ndryshim në diplomacinë amerikane, duke vendosur më shumë theks te përgjegjësia e aktorëve vendorë, stabiliteti, bashkëpunimi ekonomik dhe siguria energjetike.

Sipas kësaj qasjeje, vendet e rajonit nuk duhet të trajtohen si zona krize që kërkojnë mbikëqyrje të vazhdueshme ndërkombëtare, por si partnerë strategjikë që duhet të marrin më shumë përgjegjësi për zgjidhjen e problemeve të tyre.

Në këtë kuadër përfshihet edhe normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Uashingtoni synon një marrëveshje të qëndrueshme, të arritur nga palët dhe që nuk favorizon njërën në dëm të tjetrës.

Ruajtja e sovranitetit dhe integritetit territorial të Bosnjë-Hercegovinës, kundërshtimi i ndikimit rus dhe kinez, si dhe lufta kundër krimit të organizuar ndërkombëtar pritet të jenë gjithashtu pjesë e diskutimeve.

Rrjetet kriminale dhe kartelet e drogës që veprojnë në Ballkanin Perëndimor konsiderohen nga autoritetet amerikane si kërcënim për sigurinë kombëtare të SHBA-së. Për këtë arsye, çmontimi i tyre dhe vendosja e sanksioneve ndaj individëve të përfshirë mbeten mes prioriteteve të Uashingtonit në rajon.