Rama për pagat e gjyqtarëve: Buxheti i shtetit nuk është “qese” më vete

13 Sep 2026 21:06
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish për debatin mbi pagat e gjyqtarëve dhe përplasjen e krijuar mes qeverisë dhe përfaqësuesve të sistemit të drejtësisë.

Në një postim në platformën “X”, Rama publikoi një fotografi me një deklaratë që i atribuohet një gjyqtari, sipas së cilës pushteti gjyqësor ka pjesën e vet të buxhetit dhe nuk po kërkon të marrë fonde nga institucionet e tjera.

“Ne kemi qesen tonë të buxhetit. Nuk po marrim nga qeset e të tjerëve. Me pak fjalë, nuk po na lejohet të marrim nga qesja jonë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga kryeministri.

Reklamë Ola

Rama e kundërshtoi këtë interpretim, duke kritikuar mënyrën se si, sipas tij, konceptohen pavarësia e gjyqësorit dhe administrimi i financave publike.

“E pabesueshme, po e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar…”, shkroi kreu i qeverisë.

Reklamë InterMedika

Reagimi vjen ndërsa debati për pagat e magjistratëve është përshkallëzuar pas vendimeve gjyqësore dhe mosmarrëveshjeve mbi mënyrën e zbatimit të tyre nga ekzekutivi.

Çështja lidhet me kërkesat për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, si edhe për pagesën e shumave të prapambetura. Rama ka kundërshtuar nivelin e pretenduar financiar, duke argumentuar se ai do të krijonte një kosto të konsiderueshme dhe të përvitshme për buxhetin e shtetit.

Qeveria ka deklaruar se nuk do të pengojë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, por këmbëngul se çdo pagesë duhet të mbështetet në bazën e nevojshme ligjore dhe administrative.

Kuvendi pritet të shqyrtojë më 17 shtator ndërhyrjen ligjore që synon t’i japë zgjidhje çështjes së pagave në sistemin e drejtësisë.

Deri atëherë, përplasja mes ekzekutivit dhe përfaqësuesve të gjyqësorit pritet të mbetet një nga debatet kryesore politike dhe institucionale në vend.