Përplasja për pagat e magjistratëve, Rama: Gjuhë ultrasish, politika e pagave vendoset nga Qeveria dhe Kuvendi

14 Sep 2026 20:12
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve për pagat, duke e cilësuar retorikën e përdorur si të papërshtatshme për përfaqësuesit e drejtësisë.

Reagimi i tij erdhi pas deklaratës së një gjyqtari, sipas të cilit sistemi gjyqësor ka “qesen e vet të buxhetit” dhe nuk po lejohet të marrë fondet që i përkasin.

“E pabesueshme, por e vërtetë që një gjykatës e kupton kështu pavarësinë e pushtetit gjyqësor dhe e shikon kështu buxhetin e shtetit shqiptar”, shkroi Rama.

Reklamë Ola

Sipas kryeministrit, kjo nuk është një gjuhë që i përshtatet një gjyqtari, por “gjuhë ultrasi që bërtet në rrugë kundër VAR-it”.

Rama argumentoi se asnjë institucion nuk mund ta zëvendësojë Kuvendin ose t’i diktojë mënyrën se si duhet të votojë. Ai theksoi se vetëm Gjykata Kushtetuese mund të konstatojë kur një vendim i legjislativit bie ndesh me Kushtetutën, por jo t’i përcaktojë Kuvendit përmbajtjen e vendimmarrjes.

Reklamë InterMedika

“Politikën e pagave e propozon vetëm Qeveria, e miraton vetëm Parlamenti dhe e zbaton vetëm Qeveria”, deklaroi kryeministri.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ndërhyn vetëm kur cenohet një parim ose normë kushtetuese, ndërsa mënyra e korrigjimit duhet të përcaktohet nga ligjvënësit pa cenuar pavarësinë e tyre.

Rama paralajmëroi se përdorimi i koordinuar i kallëzimeve, padive, masave të sigurimit apo procedurave përmbarimore për të imponuar rritjen e pagave do të përbënte një sfidë të re institucionale.

“Nëse shoqatat e prokurorëve dhe gjyqtarëve kanë vendosur që, me mjete politike dhe juridike të koordinuara, të na imponohen për të rritur pagat e tyre, atëherë jemi përpara një sfide të një lloji të ri, e cila nuk na tremb, por na shqetëson pamasë”, u shpreh ai.

Kryeministri tha se kundërshtimi i Qeverisë nuk lidhet me inate personale, por me atë që e cilësoi si një sfidë për shtetndërtimin europian të Shqipërisë dhe ruajtjen e ekuilibrit ndërmjet pushteteve.

Pavarësisht toneve të forta, Rama la të hapur mundësinë e dialogut. Ai deklaroi se tryeza e përgatitur për takimin e kërkuar, por të anuluar, vazhdon të jetë e gatshme.

Sipas tij, më 17 shtator do të përfundojë vetëm episodi aktual i përplasjes publike, por jo nevoja për komunikim ndërmjet pushteteve të pavarura.

“Ne tryezën dhe gatishmërinë i kemi. Të tjerat janë në gjykimin e gjykatësve”, përfundoi Rama.