Rama paralajmëron administratën: Vonesat do të kenë kosto

12 Sep 2026 15:21
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama u ka kërkuar institucioneve të administratës publike që t’u japin qytetarëve përgjigje të qarta dhe brenda afateve ligjore, duke paralajmëruar se vonesat do të shoqërohen me përgjegjësi dhe kosto për zyrtarët përkatës.

Në një mesazh drejtuar administratës, Rama deklaroi se çdo çështje që has pengesa ligjore duhet të identifikohet dhe të klasifikohet, në mënyrë që vendimmarrësit të përcaktojnë nëse pengesa mund të hiqet apo duhet të mbetet në fuqi.

Sipas kryeministrit, qytetarët nuk duhet të lihen pa një përgjigje përfundimtare, pavarësisht nëse kërkesa e tyre miratohet apo refuzohet.

Reklamë Ola

“Të gjitha çështjet që kanë ndalesë ligjore duhen ndarë në kategori të ndryshme dhe, në atë moment, është çështja e vendimmarrësve që të thonë: ‘Kjo ndalesë zgjidhet, kjo ndalesë duhet të qëndrojë’. Njerëzve u duhet thënë: ‘Kjo nuk bëhet’”, deklaroi Rama.

Ai kritikoi përgjigjet e paqarta dhe zvarritjen e procedurave, duke i cilësuar ato një formë torture për qytetarët.

Reklamë InterMedika

“Edhe po, edhe jo, as mish as peshk, as këtej, as andej, quhet torturë, nuk quhet përgjigje”, u shpreh kreu i qeverisë.

Rama bëri të ditur se nëpërmjet të ashtuquajturit “ligji i Pasqyrës” synohet të përcaktohet përgjegjësia individuale për çdo shkelje të afateve administrative.

“Kur ti vonon dhe del nga afati, duhet të marrësh koston tënde. Këtë do ta bëjmë me ligjin e Pasqyrës, në të cilin do të përcaktojmë se çdo shkelje afati duhet të ketë një përgjegjës dhe përgjegjësi duhet të marrë koston”, tha ai.

Kryeministri u kërkoi zëvendësministrave të ngarkuar me ndjekjen e këtyre çështjeve që ta konsiderojnë këtë proces si përparësinë kryesore të punës së tyre të përditshme.

Sipas tij, ata duhet të monitorojnë çdo ditë numrin e përgjigjeve të dhëna, kërkesat që presin përgjigje dhe rastet në të cilat afatet janë shkelur.

“Duhet ta nisin ditën me sa përgjigje u dhanë dje, sa përgjigje duhen dhënë sot dhe sa përgjigje nuk u dhanë në kohë. Më pas duhet të merren me ato përgjigje që nuk u dhanë brenda afatit”, theksoi Rama.

Mesazhi i kryeministrit synon rritjen e përgjegjshmërisë së administratës dhe vendosjen e një mekanizmi më të qartë llogaridhënieje për vonesat në trajtimin e kërkesave të qytetarëve.