Rama: Së shpejti përmbyllim rindërtimin në Tiranë

10 Sep 2026 21:34
Shpërndaje:

Kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria dhe Bashkia e Tiranës do të finalizojnë së shpejti planin për përmbylljen e procesit të rindërtimit në kryeqytet.

Gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit “Rilindja 2.0”, Rama tha se plani do të përfshijë zonat e Kombinatit, “5 Maji” dhe çdo zonë tjetër ku familjet e prekura nga tërmeti vazhdojnë të presin banesat e reja.

“Me Bashkinë e Tiranës do të finalizojmë shumë shpejt, nën drejtimin e ministrit të Pushtetit Vendor, planin për t’i dhënë fund historisë së pafundme dhe të pajustifikueshme të rindërtimit, nga Kombinati deri te ‘5 Maji’ dhe kudo tjetër ku procesi ka mbetur i papërfunduar”, tha Rama.

Reklamë Ola

Kryeministri i lidhi vonesat me situatën e krijuar në drejtimin e Bashkisë së Tiranës, të cilën e cilësoi si të paprecedentë.

Sipas tij, familjet që ende presin të marrin çelësat e banesave janë kategoria më e prekur nga kjo situatë.

Reklamë InterMedika

“Heqja e kokës dhe eksperimenti social, ligjor, ekonomik dhe politik i drejtimit të një kryeqyteti pa kokë ka sjellë shumë viktima. Kategoria më e prekur janë familjet që presin më në fund t’u jepet çelësi, pasi janë viktima të tërmetit”, deklaroi Rama.

Ai e cilësoi mënyrën e drejtimit të kryeqytetit si një “eksperiment jashtëzakonisht të rëndë dhe totalisht të dështuar”.