Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Klevis Qose, priti këtë të mërkurë në një takim të dërguarin e posaçëm të Presidentit të Shteteve të Bashkuara për Partneritetin Global, ambasadorin Paolo Zampolli.
Në qendër të bisedimeve ishin çështjet e sigurisë, lufta kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës, si dhe forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve shqiptare dhe partnerëve amerikanë.
Gjatë takimit u vlerësuan marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, si dhe kontributi dhe ekspertiza e partnerëve amerikanë në fushën e inteligjencës dhe sigurisë.
Sipas njoftimit të AMP-së, Zampolli përcolli edhe qëndrimin e Presidentit Donald Trump lidhur me rrezikun që paraqet fentanili, të cilin ai e ka cilësuar që prej vitit 2017 si një prej drogave më të rrezikshme dhe një kërcënim serioz për jetën e njerëzve për shkak të numrit të lartë të viktimave që shkakton.
“Në këtë drejtim, theksuam rëndësinë e parandalimit, shkëmbimit të informacionit dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shqiptare dhe partnerëve amerikanë”, bëri të ditur Qose.
Një tjetër çështje e diskutuar ishte ardhja e ambasadorit të ri të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri. Palët e konsideruan këtë zhvillim si një mundësi për të thelluar më tej bashkëpunimin dhe koordinimin mes dy vendeve, veçanërisht në çështjet që lidhen me sigurinë.
“Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara mbeten partnerë të rëndësishëm dhe të besueshëm, të bashkuar nga një marrëdhënie strategjike dhe një angazhim i përbashkët për forcimin e sigurisë dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe trafikut të drogës”, thuhet në njoftimin e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Takimi është pjesë e vizitës së Zampollit në Shqipëri, gjatë së cilës i dërguari i posaçëm amerikan ka zhvilluar takime me përfaqësues të institucioneve dhe aktorë të tjerë në vend.


