Hoxha takim me komandantin e Forcës së Stabilizimit për Gazën: Shqipëria e gatshme të kontribuojë për paqen dhe sigurinë

08 Sep 2026 18:41
Shpërndaje:

Ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, priti këtë të martë në Tiranë Gjeneral Major Jasper Jeffers, Komandant i Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit për Gazën, me të cilin diskutoi për pjesëmarrjen dhe kontributin e Shqipërisë në këtë mision.

Në një postim në X, Hoxha deklaroi se përfshirja e Shqipërisë në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit, ISF, përfaqëson një kontribut konkret në një prej prioriteteve të politikës së jashtme shqiptare, avancimin e paqes dhe sigurisë.

“Diskutuam rëndësinë e pjesëmarrjes së Shqipërisë në ISF, që shndërron në kontribut real në terren, një prej komponentëve kryesorë të politikës sonë të jashtme: avancimin e paqes dhe sigurisë dhe gatishmërinë për të kontribuar aty ku përpjekjet ndërkombëtare mund të bëjnë një ndryshim”, u shpreh Hoxha.

Reklamë Ola

Ministri theksoi se Shqipëria, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, është e vendosur të luajë rolin e saj përkrah Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë në përpjekjet për krijimin e kushteve për siguri, stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Sipas Hoxhës, pjesëmarrja shqiptare në ISF synon gjithashtu të kontribuojë në mbrojtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe procesin e rindërtimit.

Reklamë InterMedika

“Pjesëmarrja jonë në ISF pasqyron gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar konkretisht në një iniciativë që synon ruajtjen e sigurisë dhe dinjitetit të popullit të Gazës, lehtësimin e ndihmës humanitare dhe rindërtimin, dhe ndihmën në krijimin e kushteve për një horizont politik të besueshëm dhe të qëndrueshëm për një jetë më të mirë për të gjithë”, deklaroi ministri.

Hoxha kujtoi se Shqipëria ka kontribuar vazhdimisht në përpjekjet për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare përmes NATO-s, Kombeve të Bashkuara dhe misioneve të tjera ndërkombëtare.

Sipas tij, kontributi në ISF është vazhdim i këtij angazhimi dhe dëshmi se edhe vendet e vogla mund të luajnë një rol domethënës në përballimin e sfidave ndërkombëtare.

“Ne jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë, së bashku me aleatët dhe partnerët tanë, për paqen, sigurinë dhe një të ardhme më të mirë për njerëzit e rajonit”, përfundoi Hoxha.