Në Likofc ndizet “flaka e lirisë”, veteranët presin vendimin e Speciales për ish-krerët e UÇK-së

05 Sep 2026 13:35
Shpërndaje:

Në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Likofc është ndezur “flaka e lirisë”, në nderim të dëshmorëve dhe luftës së UÇK-së, ndërsa pjesëmarrësit kanë shprehur pritshmëritë e tyre për vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së, që pritet të shpallet më 16 shtator.

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, deklaroi për KosovaPress se ndezja e flakës synon të nderojë sakrificën e dëshmorëve dhe luftën e UÇK-së, por njëkohësisht të përcjellë një mesazh për drejtësi ndaj ish-drejtuesve që ndodhen në Hagë.

Sipas tij, “flaka e lirisë” duhet të shërbejë edhe si një simbol shprese për një vendim lirues.

Reklamë Ola

“Ne jemi të bindur që ata do të lirohen më 16. Mendoj që kjo padrejtësi do të marrë fund”, deklaroi Lushtaku, duke kritikuar procesin gjyqësor dhe faktin që ish-krerët e UÇK-së prej vitesh ndodhen në Hagë.

Ai tha se pret që të akuzuarit të kthehen pranë familjeve dhe në Kosovë, ndërsa shprehu kritika të forta ndaj mënyrës se si është zhvilluar procesi.

Reklamë InterMedika

Edhe deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, shprehu shpresën se procesi në Hagë do të jetë “beteja e fundit” për ish-krerët e UÇK-së.

“Ata duhet të lirohen, të kthehen të lirë në tokën e lirë për të cilën kanë dhënë shumë, dhe uroj që kjo të jetë beteja e fundit në Hagë për Kadri Veselin, Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe për çdo ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, deklaroi Musliu.

Ajo tha se pret që të akuzuarit të shpallen të pafajshëm dhe të kthehen në Kosovë, duke e lidhur vendimin e 16 shtatorit me pritshmëritë e një pjese të madhe të qytetarëve në vend.

Në aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili kujtoi rëndësinë që zona ka pasur gjatë luftës dhe takimet e zhvilluara mes përfaqësuesve të UÇK-së dhe faktorit ndërkombëtar.

Gucati u shpreh i bindur se 16 shtatori do të sjellë një vendim lirues, duke e cilësuar një rezultat të tillë si një “fitore të madhe të shqiptarëve”.

Sipas tij, përpjekjet për të njollosur luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë dështuar. Ai pretendoi se Serbia dhe Rusia kanë vepruar për të dëmtuar imazhin e UÇK-së, ndërsa e përshkroi luftën e saj si çlirimtare.

“Unë dua të shpresoj, besoj që më 16 i gjithë kombi shqiptar do të gëzohet në Prishtinë”, deklaroi Gucati.

Kreu i veteranëve paralajmëroi gjithashtu se një vendim dënues mund të shkaktojë reagime të forta qytetare, duke folur për mundësinë e një “revolte të paparashikueshme”.

“Nëse dënohen ata, dënohet Ushtria Çlirimtare e Kosovës, dënohen krerët e UÇK-së, vetë ata të cilët kanë shpallur shtetin. Atëherë do të ketë një revoltë qytetare të paparashikueshme”, tha Gucati.

Ai shtoi se nuk beson se Gjykata Speciale do të marrë një vendim dënues dhe shprehu bindjen se procesi do të përfundojë me lirimin e ish-drejtuesve të UÇK-së.

Sipas Gucatit, më shumë se një milion shqiptarë pritet të ndjekin vendimin e 16 shtatorit, ndërsa një numër i madh pjesëtarësh të mërgatës pritet të jenë atë ditë edhe në Holandë.