Danimarka hap ambasadën në Tiranë më 1 nëntor, nis rekrutimin e stafit

20 Aug 2026 22:00
Shpërndaje:

Danimarka do të hapë më 1 nëntor 2026 ambasadën e saj në Tiranë, duke forcuar praninë diplomatike në Shqipëri dhe bashkëpunimin mes dy vendeve. Përfaqësia e re do të jetë e akredituar edhe në Kosovë dhe do të ketë ndër prioritetet kryesore mbështetjen e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Në prag të hapjes, Ambasada Mbretërore Daneze ka nisur ngritjen e ekipit dhe ka shpallur disa vende të lira pune për staf lokal.

Një prej pozicioneve është ai i këshilltarit politik, i cili do të monitorojë dhe analizojë zhvillimet politike, ligjore, sociale dhe ekonomike në Shqipëri dhe Kosovë. Një pjesë e rëndësishme e detyrës do të lidhet me procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, politikën e jashtme dhe zhvillimet rajonale.

Reklamë Ola

Këshilltari do të përgatisë analiza dhe raporte për ambasadën, do të krijojë kontakte me institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, do të asistojë në përgatitjen e vizitave të zyrtarëve danezë dhe do të monitorojë median lokale dhe rajonale. Për këtë pozicion kërkohet diplomë Master në fusha si shkencat politike ose sociale, drejtësia apo historia, si dhe njohje e mirë e çështjeve të BE-së.

Ambasada kërkon gjithashtu dy punonjës për ekipin administrativ. Ata do të merren me aktivitetet konsullore, përfshirë vizat dhe pasaportat, organizimin e takimeve dhe eventeve, vizitat zyrtare, komunikimin me autoritetet shqiptare dhe kosovare, si dhe detyra të tjera administrative dhe financiare.

Reklamë InterMedika

Një tjetër vend pune është ai i asistentit personal të ambasadorit, i cili do të jetë përgjegjës për axhendën dhe takimet e ambasadorit, organizimin e vizitave dhe eventeve, çështjet e protokollit, komunikimin me institucionet dhe përkthimin.

Për pozicionet administrative kërkohet diplomë Bachelor ose kualifikim dhe eksperiencë e përshtatshme profesionale. Kandidatët duhet të zotërojnë shumë mirë shqipen dhe anglishten, ndërsa njohja e gjuhës daneze konsiderohet avantazh, por nuk është kusht.

Afati i fundit për aplikim është 7 shtator 2026, ora 14:00. Kandidatët e përzgjedhur pritet të intervistohen gjatë shtatorit në Tiranë, ndërsa punësimi parashikohet të nisë më 1 janar 2027, pas përfundimit të procedurave të sigurisë. Për asistentin personal të ambasadorit ekziston mundësia që puna me kontratë të përkohshme të nisë që më 1 nëntor.

Ambasada e Danimarkës do të vendoset në Rrugën “Nikolla Tupe”, nr. 1, në Tiranë. Hapja e saj shënon një etapë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, në një periudhë kur procesi i integrimit europian të Shqipërisë po intensifikohet.