Sektori hekurudhor në Shqipëri po hyn në një fazë të re transformimi, me rregulla teknike dhe kërkesa të reja për monitorimin e tregut, infrastrukturës dhe kushteve të punës, në kuadër të përafrimit me standardet e Bashkimit Evropian.
Ndryshimet janë përcaktuar në aktet e fundit të publikuara në Fletoren Zyrtare nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe synojnë që sistemi hekurudhor shqiptar të bëhet i ndërveprueshëm me rrjetin evropian.
Në qendër të ndryshimeve është Urdhri nr. 179, i cili miraton rregulloren për kushtet teknike të nënsistemit “Infrastrukturë” të sistemit hekurudhor. Rregullorja është pjesë e procesit të përafrimit me legjislacionin e BE-së dhe lidhet me Agjendën Kombëtare të Reformave 2024–2027 dhe Planin e Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Rregullat përafrohen me kërkesat e përcaktuara në Rregulloren 1299/2014 të Komisionit Evropian dhe synojnë që infrastruktura shqiptare të plotësojë kriteret teknike të nevojshme për integrimin me sistemet hekurudhore evropiane.
Për zbatimin e tyre ngarkohen Autoriteti i Sigurisë Hekurudhore, administratorët e infrastrukturës dhe sipërmarrjet që operojnë në sektor.
Urdhri parashikohet të shfuqizohet në momentin kur Shqipëria të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian, pasi prej asaj kohe rregullat përkatëse të BE-së do të zbatohen drejtpërdrejt.
Ndryshimet prekin edhe mënyrën se si do të monitorohet tregu hekurudhor. Sipërmarrjet që zotërojnë më shumë se 1% të tregut do të duhet të raportojnë pjesën e tyre, duke bërë dallimin mes shërbimeve komerciale dhe atyre të kryera në kuadër të detyrimit të shërbimit publik, si për transportin e udhëtarëve ashtu edhe për atë të mallrave.
Raportimi do të përfshijë gjithashtu procesin e licencimit, tarifat dhe kohën e nevojshme për pajisjen me licencë.
Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe kapaciteteve fizike të rrjetit. Do të evidentohen stacionet sipas numrit të pasagjerëve që përpunojnë, terminalet e mallrave, depot dhe impiantet e furnizimit.
Për herë të parë monitorimi shtrihet në mënyrë të detajuar edhe te fuqia punëtore. Operatorëve u kërkohet të raportojnë të dhëna mbi përbërjen gjinore dhe moshore të stafit, si dhe mbi format e punësimit.
Në raportime do të evidentohen kontratat e përhershme dhe të përkohshme, punësimi me kohë të pjesshme dhe praktikat, ndërsa vëmendje do t’u kushtohet edhe kategorive të veçanta të punonjësve, përfshirë makinistët dhe personelin që mirëmban infrastrukturën.
Korniza e re synon që modernizimi i hekurudhave shqiptare të mos kufizohet vetëm te investimet në linja dhe stacione, por të shoqërohet edhe me standarde evropiane për funksionimin e tregut, transparencën dhe kushtet e punës.


