Bizneset dhe sipërmarrjet që synojnë të zgjerojnë aktivitetin e tyre do të kenë mundësi të përfitojnë kredi me kushte lehtësuese deri në 2 milionë euro përmes programit qeveritar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”.
Gjatë një vizite në një fabrikë të përpunimit të qumështit në Pogradec, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu tha se programi synon të mbështesë veçanërisht bizneset në sektorët e agroturizmit dhe agropërpunimit, duke nxitur investimet, modernizimin dhe rritjen e konkurrueshmërisë.
Sipas saj, programi ofron kredi me afat shlyerjeje deri në 10 vjet dhe me norma interesi 2-3%, ndërsa financimi mund të arrijë deri në 2 milionë euro.
Koçiu theksoi se qeveria do të mbulojë deri në 70% të kolateralit përmes garancisë sovrane, duke lehtësuar aksesin e sipërmarrjeve në financim në bashkëpunim me bankat e nivelit të dytë.
Ajo bëri të ditur se programi nis me një fond prej 250 milionë eurosh, me synimin që, në varësi të kërkesës dhe rezultateve, të zgjerohet deri në 1 miliard euro.
Zëvendëskryeministrja shtoi se bizneset do të përfitojnë edhe asistencë teknike gjatë procesit të aplikimit, përfshirë përgatitjen e dokumentacionit, për të reduktuar procedurat burokratike.
Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, tha se investimet në teknologji dhe politikat mbështetëse financiare janë thelbësore për rritjen e sigurisë ushqimore dhe për përmbushjen e standardeve që kërkojnë tregjet ndërkombëtare.


