×
Sunday, July 26, 2026

Karakaçi: Kostoja e autostradës Milot–Balldren nuk matet vetëm me çmimin për kilometër

July 25, 2026


Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka reaguar ndaj kritikave dhe, sipas tij, dezinformatave mbi koston e projektit të autostradës Milot–Balldren, duke theksuar se vlerësimi i një vepre infrastrukturore nuk mund të bazohet vetëm te kostoja për kilometër.

Në një deklaratë publike, Karakaçi tha se krahasimet që bëhen vetëm mbi bazën e gjatësisë së aksit janë të pasakta, pasi çdo projekt ndryshon në varësi të terrenit, kushteve gjeologjike dhe veprave inxhinierike që kërkon ndërtimi.

Ministri sqaroi se vlera totale prej 364.7 milionë eurosh nuk i referohet vetëm ndërtimit të autostradës, por gjithë kontratës koncesionare 35-vjeçare. Sipas tij, kjo kontratë përfshin projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen rutinë dhe periodike, sistemin elektronik të monitorimit dhe tarifimit, si edhe riveshjen e autostradës gjatë gjithë periudhës së koncesionit.

Karakaçi bëri të ditur se kostoja e ndërtimit të vetë autostradës është 182 milionë euro.

Sipas ministrit, projekti përfshin një sërë veprash të rëndësishme inxhinierike, mes tyre një tunel me dy tuba me gjatësi 850 metra, një urë 620 metra mbi lumin Mat, një urë 223 metra mbi lumin Drin, pesë nyje në disnivel, rreth 9.5 kilometra rrugë dytësore, si dhe sistemet elektronike të monitorimit dhe tarifimit të trafikut.

Ai theksoi gjithashtu se aksi Milot–Balldren kalon në një zonë aluvionale pranë bregdetit Adriatik, çka kërkon ndërhyrje shtesë për stabilizimin e terrenit, sistemet e drenazhimit dhe masa të tjera teknike për garantimin e sigurisë dhe jetëgjatësisë së veprës.

Në përfundim, Karakaçi e cilësoi autostradën Milot–Balldren një investim me rëndësi strategjike, pjesë të rrjetit evropian të transportit, që do të lidhë Shqipërinë me Malin e Zi dhe më tej me rrjetin TEN-T.

Sipas tij, qeveria mbetet e angazhuar për ta realizuar projektin sa më shpejt, duke e konsideruar atë një nga investimet kryesore për zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e lidhjeve rajonale.




Comments are closed.