Shqipëria është renditur nga media spanjolle “Skyscanner” mes 20 destinacioneve më të lira në botë për pushime, duke u vlerësuar si një nga zgjedhjet më të mira për turistët që kërkojnë të kombinojnë çmime të përballueshme, natyrë të mrekullueshme dhe përvoja autentike.
Në artikullin kushtuar destinacioneve më ekonomike në botë, “Skyscanner” thekson se udhëtimi me një buxhet të kufizuar nuk do të thotë të heqësh dorë nga cilësia, duke ftuar turistët të zbulojnë vende që ofrojnë eksperienca të veçanta pa kosto të larta.
Sipas medias spanjolle, pavarësisht rritjes së vazhdueshme të çmimeve në Evropën Perëndimore, Amerikën e Veriut dhe disa rajone të Azisë, ende ekzistojnë destinacione që ofrojnë pushime cilësore me shpenzime të përballueshme.
Në listën e publikuar përfshihen Kamboxhia, Malajzia, Paraguai, Bolivia, Peruja, Tajlanda, Rumania, Sri Lanka, Armenia, Portugalia, Filipinet, Shqipëria, Polonia, Hondurasi, Republika Dominikane, Mbretëria e Lesotos, Maroku, India, Nikaragua dhe Nepali.
Artikulli nënvizon se në këto vende turistët mund të përfitojnë nga një kosto e ulët jetese, ku një vakt mund të kushtojë më pak se një kafe në shumë kryeqytete evropiane, ndërsa akomodimi pranë plazheve apo atraksioneve turistike mbetet ekonomik.
Për Shqipërinë, “Skyscanner” vlerëson veçanërisht Rivierën Shqiptare, duke e përshkruar si një destinacion me plazhe me ujëra të kristalta, fshatra piktoreskë bregdetarë dhe peizazhe ku malet takohen me detin.
Në artikull përmenden Ksamili, Himara dhe Dhërmiu si destinacione që ruajnë ende ndjesinë e zbulimit dhe ofrojnë çmime më të ulëta se shumë destinacione të njohura të Mesdheut, edhe gjatë sezonit turistik.
Media spanjolle ndalet gjithashtu te pasuria kulturore e vendit, duke veçuar qytetet e Beratit dhe Gjirokastrës, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, si edhe Alpet Shqiptare, të cilat i konsideron ndër destinacionet më të mira për ecje malore në Evropë.
Sipas “Skyscanner”, me një buxhet ditor prej 40 deri në 70 euro, Shqipëria mbetet një nga alternativat më të favorshme për turistët që dëshirojnë të shijojnë brigjet e Mesdheut, klimën e ngrohtë dhe autenticitetin, pa u përballur me kostot e larta të destinacioneve tradicionale si Greqia, Italia apo Kroacia.